Drejtori i kësaj drejtorie, Alberton Sahiti, në emisionin "FIVE" ka thënë se gjendja në qytet nuk është e mirë, ndërsa ekipet janë angazhuar për pastrimin e hapësirave dhe largimin e gjësendeve që kanë rënë si pasojë e erërave.

“Jemi në terren i gjithë stafi i drejtorisë, jemi duke verifikuar të gjitha dëmet që janë bërë. Gjendja nuk është e mirë në gjithë qytetin e Ferizajt. Pavarësisht të gjitha dëmeve, sot jemi marrë me pastrimin e gjithë gjërave që kanë rënë si shkak i erërave. Në këto orë nuk ka erë dhe siguria është në nivel, por dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha”, ka deklaruar Sahiti.

Ai ka bërë të ditur se ende nuk dihet vlera e saktë e dëmeve, pasi ekipet komunale janë duke vazhduar verifikimet në terren.

“Vlera e saktë e dëmeve ende nuk dihet, pasi ekipet janë ende në terren, por ajo që dihet është se janë në përmasa të mëdha dhe besoj që brenda një afati të shkurtër të kemi një raport final lidhur me dëmet që janë shkaktuar si pasojë e erës. E mira është që nuk ka pasur dëme tek njerëzit, por vetëm dëme materiale”, u shpreh Sahiti.

Sipas tij, deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë materiale.