Nuk ka nevojë të analizosh e as të komentosh Qorrin e qorrave të bulevardit. Mjafton t’i dëgjosh dhe t’i shohësh. Flasin vetë, hapur dhe pa komplekse, me gjuhën, simbolet dhe metodat që kanë zgjedhur.
Qorra me brujë financiare, agjenda politike të ANTIFA-s, dyshime për financime të errëta dhe lidhje me interesa e shërbime të huaja, përfshirë ato ruse. Në sfond, pikëpyetje për infiltrime serbo-kosovare në Tiranë, të cilat kërkojnë transparencë dhe hetim, jo thjesht propagandë dhe akuza në distancë.
Kjo është Shqipëria që duan Qorrat e qorrave të Qorrit: një Shqipëri të përfshirë në luftën e gurëve, molotovëve, levave të bulevardit, Draperit dhe Çekiçit; një Shqipëri ku politika zëvendësohet me përplasje, institucionet me barrikada dhe debati publik me revolucionin e rrugës.

Në luftë me SHQUP-in, me ballisto-komunistin, me Mundësinë dhe me këdo që mund të shndërrohet në kundërshtar të radhës, këta aktorë duket se kanë vetëm një objektiv: të kapitalizojnë politikisht kaosin, të përfitojnë nga zemërimi qytetar dhe ta kthejnë pakënaqësinë në instrument destabilizimi.
Dhe kjo nuk mund të shihet e shkëputur nga klima e protestave që po përfshin Europën. Më 20 nëntor 2026, protesta të të rinjve janë zhvilluar në dhjetëra vende europiane, me kërkesa për arsimin, ekonominë, politikat sociale dhe çështje të tjera politike. Por fakti që protestat ndodhin në shumë vende nuk do të thotë se kanë të njëjtin organizim, të njëjtën ideologji apo të njëjtën agjendë.
Shqetësimi lind kur pakënaqësia legjitime qytetare shndërrohet në platformë për radikalizim, kur simbolet antifashiste përdoren si mbulesë për intolerancën politike, kur retorika revolucionare bashkohet me dhunën dhe kur agjendat ekstremiste, përfshirë ato islamiste, përpiqen të gjejnë hapësirë në konfliktet sociale dhe politike të Europës.
Shqipëria nuk mund të bëhet terren eksperimentimi për ideologji radikale, interesa të huaja dhe aventura politike që ushqehen me përçarje, urrejtje dhe destabilitet. Protesta është e drejtë demokratike. Revolta kundër korrupsionit është legjitime. Por guri, molotovi dhe çekani nuk janë program politik. As djegia e institucioneve nuk është alternativë qeverisëse.
Pyetja është e thjeshtë: kush përfiton nga ky kaos? Kush financon, kush organizon, kush orienton dhe kush kërkon të kapitalizojë politikisht gurët dhe molotovët e bulevardit? Dhe, mbi të gjitha, çfarë Shqipërie duan të ndërtojnë Qorrat e qorrave?
Një Shqipëri europiane, demokratike dhe institucionale, apo një Shqipëri të kapur nga aventurierët e revolucionit permanent, nga agjendat ideologjike dhe nga levat e destabilizimit? Qorrlliku politik nuk është vizion. Molotovi nuk është alternativë. Dhe Shqipëria nuk është plaçkë për t’u kapitalizuar nga Qorrat e bulevardit!/TemA









Komente
Komento