E ardhmja ndërkombëtare e Arijon Ibrahimovic mbetet ende e hapur, ndërsa talenti me origjinë shqiptare vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së disa përfaqësueseve. Futbollisti, i cili aktualisht përfaqëson Gjermaninë U-21, ka folur në një intervistë për median gjermane “SPOX”, ku ka prekur edhe çështjen e zgjedhjes së kombëtares që do të përfaqësojë në të ardhmen.
Ibrahimovic është kërkuar edhe nga Shqipëria, e cila e sheh si një përforcim të mundshëm për projektin e saj të Kombëtares. Ndërkohë, edhe Kosova ka shfaqur interes për ta afruar në përfaqësuese. Deklaratat e tij për “SPOX” rikthejnë në vëmendje të ardhmen ndërkombëtare të talentit, i cili ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar për ekipin kombëtar.
Intervista e plotë e Arijon Ibrahimovic
Keni luajtur tashmë futboll profesionist për Bayern-in, Frosinone, Lazio-n dhe Haidenhaim, ndërsa tani jeni pjesë e Augsburg-ut, e megjithatë jeni vetëm 20 vjeç. Sa vjeç ndiheni në të vërtetë?
“Kur dëgjon këtë listë, sigurisht që duhet të ndihem disa vite më i madh se mosha që kam në të vërtetë”.(qesh)
Augsburg-u është huazimi juaj i katërt. Ju mungon një vend që ta konsideroni vërtet shtëpinë tuaj?
“Çdo futbollist dëshiron të ketë një vend që ta konsiderojë vërtet shtëpinë e tij. Por kështu është futbolli. Para së gjithash, jam i lumtur që tani jam tek Augsburg, një klub ambicioz, ku lojtarët e rinj marrin shumë minuta aktivizimi. Gjatë verës m’u prezantua një plan i qartë. Augsburg-u u beson lojtarëve të rinj dhe dëshiron t’i zhvillojë ata. Për këtë arsye vendosa të transferohesha aty dhe gjithçka ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar”.
Meqë ra fjala te “plani i qartë”: Pas huazimit te Haidenhaim, në fakt ishit parashikuar të bëheshit pjesë e përhershme e skuadrës së parë të Byern-it. Madje, në fillim të korrikut, kjo u njoftua posaçërisht edhe përmes një komunikate në faqen zyrtare të klubit. Pse në fund ndodhi ky ndryshim i papritur i planit dhe transferimi te Augsburg+u në ditën e fundit të merkatos?
“Gjatë fazës përgatitore me Bajernin luajta shumë dhe aty e kuptova se sa e rëndësishme është kjo për mua. M’u bë e qartë se nuk dëshiroja të hiqja dorë nga kjo gjë gjatë këtij sezoni. Por të gjithë e dimë konkurrencën që ka te Bajerni. M’u duk e pamundur që të merrja aq shumë minuta aktivizimi sa më nevojiten për zhvillimin tim. Duhet të jesh realist në këtë drejtim. Pas kësaj, agjenti im dhe drejtuesit e Bajernit zhvilluan bisedime të sinqerta. Në fund vendosëm për huazimin”.
Megjithatë, këtë sezon Bajern-i ka një grup lojtarësh relativisht të vogël. Së fundmi, disa futbollistë të repartit ofensiv kanë qenë të dëmtuar. Mes tyre edhe anësori i majtë Luis Diaz, për të cilin fillimisht ishit parashikuar si zëvendësues…
“Kur shoh tani listën e lojtarëve të dëmtuar te Bajern-i, mund të mendosh: ‘Uau, ndoshta do të ishte më mirë të kisha qëndruar atje’. Por nuk jam aspak i penduar për transferimin. Përkundrazi, jam shumë i lumtur që jam tek Augsburg-u. Më kanë pritur shumë mirë, luaj shumë dhe po kënaqem. Mendoj se personalisht kam bërë paraqitje të mira deri tani, edhe pse rezultatet e fundit, për fat të keq, nuk kanë qenë aq të mira. Shpresoj që kjo të ndryshojë tani”.
Kundër Bajern-it, në tetor, arritët të merrnit të paktën një barazim 2-2, duke shënuar edhe golin më të shpejtë në historinë e Bundesligës. A u hodhët ndonjë kunjë ish-shokëve tuaj të skuadrës pas asaj ndeshjeje?
“Pata ndjesinë se Bayerni u befasua nga paraqitja jonë. Si skuadër luftuam të gjithë së bashku nga minuta e parë deri në të fundit. Megjithatë, nuk u hodha kunja ish-shokëve të mi të skuadrës. Kur nuk fitojnë, gjithsesi nuk janë edhe aq të disponuar për të bërë shaka”.
Konsideroheni një futbollist ofensiv që mund të luajë në disa pozicione. Në cilin pozicion mendoni se jeni më i fortë?
“Pozicioni im më i mirë është numri 10 në krahun e majtë. Pra, pikërisht aty ku luaj tani te Augsburgu. Por ndihem mirë në çdo pozicion të repartit ofensiv. E rëndësishme është të jem në fushë”.
Te Haindenhaim-i, sezonin e kaluar, patët statistika shumë të mira për sprintet. Është e vërtetë që kjo i ka bërë përshtypje pozitive edhe Vincent Kompani?
“Po, stafi teknik ishte i mahnitur nga vlerat e mia gjatë sezonit te Haidenhaim-i, veçanërisht sa u përket vrapimeve me intensitet të lartë dhe sprinteve. Ma kanë thënë edhe vetë këtë gjë. Vincent Kompaniështë një trajner që dëshiron t’i ndihmojë lojtarët e rinj. Por e njëjta gjë vlen edhe për trajnerin tim aktual, Manuel Baum”.
Huazimi juaj zgjat deri në verën e ardhshme, ndërsa më pas Augsburgu ka një opsion blerjeje prej tetë milionë eurosh. Kontrata juaj me Bajernin është e vlefshme deri në vitin 2028. Cili është plani juaj afatgjatë? A besoni ende se mund të shpërtheni te Bajerni dhe të bëheni pjesë e rëndësishme e skuadrës?
“Unë e shoh gjithçka ndeshje pas ndeshjeje. Për mua është e rëndësishme që tek Augsburg kam një ambient shumë të mirë, ku mund të zhvillohem personalisht, por edhe ne si skuadër mund të përparojmë. Në verë do të shohim se si kanë qenë paraqitjet e mia dhe cilat mundësi do të ekzistojnë. Për momentin, asgjë tjetër nuk më intereson”.
Aktualisht luani për Kombëtaren U-21 të Gjermanisë. Trajneri i Kombëtares A, Jurgen Klop, së fundmi u ka dhënë mundësinë disa futbollistëve të rinj të debutojnë. A keni pasur ndonjëherë kontakte me të?
“Jo, deri tani jo”.
Përveç shtetësisë gjermane, ju keni edhe shtetësinë kosovare. A ka pasur ndonjë interesim nga ana e federatës së atjeshme?
“Po, ka pasur tashmë kontakte me Federatën e Kosovës. E ndjek me shumë respekt zhvillimin pozitiv të federatës dhe të futbollit kosovar. Pavarësisht kësaj, aktualisht fokusi im është te Kombëtarja U-21 e Gjermanisë, për të cilën luaj me shumë kënaqësi. Sigurisht, do të kisha dashur të isha i pranishëm edhe në ndeshjet e fundit të Kombëtares A, ashtu si shokët e mi të skuadrës Henes Behrens, Anton Kade dhe Mert Komur, por u detyrova të tërhiqesha për shkak të një dëmtimi në pulpë, në mënyrë që të rikuperohesha plotësisht”.
Sa e ngushtë është lidhja juaj me Kosovën?
“Të paktën një herë në vit shkoj te familja ime në Kosovë, ndonjëherë edhe më shpesh. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”.
Erblin Osmani, i dalë nga akademia e Bajern-it, debutoi së fundmi si futbollisti më i ri në historinë e Kosovës. Keni pasur kontakte me të?
“E përgëzova për debutimin dhe jam i lumtur për të. E ka merituar këtë gjë”.
Në Kombëtaren U-21 të Gjermanisë ka disa futbollistë që kanë më shumë se një shtetësi. Aktualisht po flitet shumë për të ardhmen e Nikolo Tresoldit, i cili mund të luajë edhe për Italinë ose Argjentinën. A është kjo një temë diskutimi në dhomën e zhveshjes?
“Jo, flasim shumë pak për këtë çështje. Është një vendim personal, të cilin secili duhet ta marrë vetë”.
Le të kthehemi pak më pas në kohë: Julian Nagelsman ju afroi dikur te skuadra e parë e Bajernit, kur ishit vetëm 15 vjeç, dhe ju dha mundësinë të debutonit në moshën 17-vjeçare. Çfarë kujtimesh keni nga ajo periudhë?
“Gjëja e parë që më vjen në mendje është stërvitja e sulmuesve me Robert Levandovskin. Mund të mësoja shumë duke e vëzhguar atë”.
Në moshën vetëm 17-vjeçare u transferuat te Frosinone. Si ishte kjo përvojë për ju?
“Shkova atje vetëm dhe jetoja i vetëm. Megjithatë, familja ime vinte të më vizitonte herë pas here. Jam i lumtur që pata mundësinë ta përjetoja këtë eksperiencë që në një moshë kaq të hershme. Më bëri mirë. Më kujtohet ende shumë qartë debutimi im si titullar në Serinë A, kur dhashë një asist dhe shënova një gol”.
Më pas luajtët për Lazio-n, por atje gjërat nuk shkuan edhe aq mirë. Në gjashtë muaj arritët të grumbullonit vetëm 19 minuta aktivizim.
“U transferova gjatë merkatos së dimrit. Ekipi ishte i konsoliduar, trajneri nuk dëshironte të eksperimentonte shumë dhe për këtë arsye pata shumë pak mundësi. Megjithatë, nuk jam penduar për atë transferim. Niveli i stërvitjes ishte shumë i lartë. Mësova shumë gjëra të reja”.
Zlatan Ibrahimoviç, konsiderohet idhulli juaj i madh. Ai është këshilltar te Milani. Gjatë kohës suaj në Itali, patët mundësinë të takoheshit me të?
“Po, gjatë një ndeshjeje kundër Milanit pata mundësinë ta njihja nga afër për pak çaste. Për mua u realizua një ëndërr e vogël”.