Një situatë alarmante e dhunës dhe kriminalitetit po trondit Afrikën e Jugut, ku 581 gra kanë humbur jetën si pasojë e vrasjeve gjatë periudhës korrik-shtator. Shifrat e publikuara nga autoritetet kanë rikthyer debatin mbi sigurinë e grave dhe dështimin e masave për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Vëmendje të veçantë kanë marrë 13 raste të rënda në zonën e Johanesburgut, ku trupat e grave u zbuluan në ambiente publike, me shenja dhune dhe pjesërisht të zhveshur. Ngjarjet shkaktuan indinjatë të madhe në vend dhe shtuan presionin ndaj policisë për identifikimin e autorëve.
Ndërsa hetimet vijojnë, një tjetër krim i rëndë është regjistruar në provincën Free State. Gjashtë persona, mes tyre pesë gra dhe një fëmijë, u qëlluan për vdekje në një banesë në Botshabelo. Sipas hetimeve paraprake, tre persona të maskuar hynë me forcë në shtëpi pasi nuk gjetën aty personin që kërkonin. Bashkëshortja e pronarit mbeti e plagosur nga të shtënat, ndërsa autorët ende nuk janë arrestuar.
Të dhënat tregojnë se provinca Gauteng, ku ndodhet Johanesburgu, regjistron 131 nga 581 vrasjet e grave. Në të njëjtën periudhë, në të gjithë vendin janë shënuar 5,590 vrasje, mesatarisht rreth 60 në ditë.
Policia ka njoftuar arrestimin e tetë personave në lidhje me vrasjet e 13 grave. Mes viktimave është 38-vjeçarja Elizabeth Moselakgomo, e cila u zhduk gjatë vrapit pranë banesës së saj dhe u gjet e pajetë në shtator. Në pranga kanë përfunduar gjithashtu të dyshuar për vrasjen e Jabulile Ntimba dhe Ntombifuthi Nxumalo, trupat e të cilave u zbuluan në rrethana makabre.
Rasti i parë i kësaj serie ishte vrasja e Busisiue Mahlangu, trupi i së cilës u gjet në Kempton Park në korrik.
Përballë situatës, presidenti Cyril Ramaphosa ka premtuar se institucionet do të bëjnë gjithçka për zbardhjen e krimeve dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Ndërkohë, ministri në detyrë i Policisë, Firoz Cachalia, ka kërkuar intensifikimin e masave për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
