Qeveria miraton disa vendime, ndryshon drejtuesi i Doganave, ja kush emërohet

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme disa vendime dhe projektligje që lidhen me rindërtimin, strehimin, doganat dhe sigurimin e depozitave.
Në mbledhjen e 20 nëntorit është vendosur gjithashtu lirimi i Besmir Bejës nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhe emërimi i Fation Shehut në këtë post.
Mes vendimeve të tjera janë edhe financimi i riforcimit të banesave individuale në Shijak, Vorë dhe Krujë, si dhe propozimet për ndryshime në ligjet për artikujt piroteknikë dhe lëndët plasëse për përdorim civil.
Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e vendimeve:
-Për përdorimin e Fondit të Rindërtimit për financimin e riforcimit të banesave individuale në bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë.
-Për miratimin e kritereve dhe të masës së përfitimit të qirasë për strehim të punonjësve operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
-Për masat përgatitore dhe shoqëruese për pjesëmarrjen e ardhshme të Republikës së Shqipërisë në Sistemin e Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI).
-Për propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 73/2021, ‘Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë’”.
-Për propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 74/2021, ‘Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil’”.
Vendim për lirim dhe emërim në detyrë
-Z. Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, lirohet nga kjo detyrë.
-Z. Fation Shehu, emërohet drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Njëherësh u miratuan dhe projektligjet:
-Për sigurimin e depozitave
Ky ligj rregullon funksionimin e skemës së sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit dhe shoqëritë e kursim-kreditit, të licencuara në Republikën e Shqipërisë, nivelet e mbulimit, kompensimin e depozitave, përdorimin e fondeve të sigurimit të depozitave për zbatimin e masave, të ndryshme nga kompensimi i depozitave, të përcaktuara në këtë ligj, me qëllim sigurimin e aksesit të depozituesve në depozitat e tyre, si dhe organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
-Për krijimin dhe funksionimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat në Republikën e Shqipërisë.
Ky ligj përcakton rregullat për krijimin dhe funksionimin e mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, i cili ofron një grup të integruar shërbimesh elektronike të ndërveprueshme për të mbështetur ndërveprimin dhe shkëmbimin e automatizuar të informacionit ndërmjet autoriteteve doganore, autoriteteve kompetente bashkërenduese dhe operatorëve ekonomikë, nëpërmjet sistemit elektronik të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, si dhe ndërveprimet me sistemet jodoganore, sipas legjislacionit në fuqi, për mallrat, që hyjnë dhe dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë.
/vizionplus.tv




