Fation Shehu emërohet Drejtor i Doganave, largohet Besmir Beja

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimin në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke liruar nga detyra drejtuesin e deritanishëm, Besmir Beja, dhe duke emëruar në këtë post Fation Shehun.
Vendimi u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 1 të nenit 15 të ligjit nr. 102/2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Financave. Sipas përcaktimit ligjor, vendimi “hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren zyrtare’”.
Profili i drejtuesit të ri të Doganave
Fation Shehu merr drejtimin e këtij institucioni me një formim juridik dhe me një përvojë të konsoliduar institucionale në fushën e luftës kundër kontrabandës. Nën drejtimin e tij të mëparshëm, aktiviteti antikontrabandë është shoqëruar me rezultate konkrete dhe me një angazhim të vazhdueshëm për forcimin e zbatimit të ligjit dhe rritjen e standardeve të kontrollit.
Përveç përvojës shumëvjeçare dhe trajnimeve pranë organizatave ndërkombëtare, karriera e tij shënon edhe një vlerësim rajonal. Vitin e kaluar, Shehu është nderuar me Çmimin e Parë nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), në vlerësim të arritjeve në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



