Lajmi i fundit

SPAK regjistron procedim penal ndaj Elisa Spiropalit, bashkëshortit dhe 3 personave të tjerë

‘Demokratët, arkitektët që i japin fund së keqes’, Berisha: Protestat e opozitës kushtrim për shqiptarët e ndërkombëtarët

19:10, 20/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i PD, Sali Berisha është shprehur se demokratët janë arkitektët e fundit të së keqes.

Deklarata e liderit demokrat u bë gjatë foltores së ripërtëritjes në Tiranë, ndërsa Berisha shtoi se protestat e opozitës ishin kushtrim për shqiptarët e ndërkombëtarët.

‘Çdo e keqe ka një fund, kurrë nuk ka të keqe pa fund, dhe e vërteta është se ju jeni jo vetëm lajmëtarët, por dhe arkitektët e fundit të kësaj të keqeje’, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha përpara të pranishmëve.

Ne u përballëm jo vetëm me partinë-shtet, e cila, për të rrëmbyer zgjedhjet, njëlloj si Saied i Tunizisë, arrestoi në vitin elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri në ndjekje penale liderin e partisë së tretë, por organizoi, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe ligjeve ndërkombëtare mbi zgjedhjet, 4500 veprimtari, ndër të cilat veprimtarinë kriminale 7-milionëshe të Giro d'Italia ditën e votimit, vetëm e vetëm që, si e si, të ndikonte tek zgjedhësit shqiptarë për të votuar për të.

U përballëm me një njeri që vuri në dispozicion të gjithë miliardat, potencialin financiar, të gjithë potencialin njerëzor, me dhjetëra mijëra punonjës të administratës, në kundërshtim me çdo ligj.

U përballëm me një njeri i cili përdori të gjithë fuqinë ekzekutive, mijëra punësime, lejet e ndërtimit, certifikatat e pronësisë, lejet e legalizimit për të rrëmbyer votat e shqiptarëve.

U përballëm me një njeri, bosi i drogës, të cilin me të drejtë shtypi amerikan e quajti ‘Ramaduro’, i cili vetëm për vota dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis në fushatë elektorale.

U përballëm me një njeri i cili organizoi kartelet më të fuqishme të drogës në Evropë për të na i rrëmbyer votat e qytetarëve shqiptarë. Pra, asnjë diktaturë në Evropë nuk ka përdorur kundër qytetarëve të vet një fuqi kaq të keqe sa ç'është droga. Droga, miqtë e mi, është fuqia e së keqes.

Ju i patë vetë dhomat me euro. Ajo ishte një, kishte 40 milionë apo sa i kishte, por ju garantoj se të tilla janë dhjetëra dhe qindra nëpër Shqipëri, para krimi që u vërsulën në të gjitha mënyrat kundër qytetarëve.

E megjithatë, me punën, me përkushtimin, me mundin, pavarësisht nga të gjitha defektet, problematikat e pamohueshme, kritikat që mund të kemi të drejta ndaj njëri-tjetrit, se mund të performonim më mirë, prapëseprapë ne morëm, ne faktuam se në kushte zgjedhjesh normale do të ishim fitimtarët e zgjedhjeve.

Miqtë e mi, ne mblidhemi sot në një moment kritik, por dhe shumë pozitiv, pa diskutim. Narkoshteti i Edi Ramës, Edi Rama, organizata e tij kriminale janë të plagosur për vdekje.

Falë qëndrimit të pamposhtur, të pakompromis të deputetëve të Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj, me qindra dosje të krimeve monstruoze të tyre u dërguan në Prokurorinë Speciale.

Me qindra denoncime u bënë në sallat e kësaj ndërtese dhe kudo kundër vjedhjeve të pafundme, kundër abuzimeve të pafundme të kësaj organizate kriminale.

Protestat e opozitës, seriali i tyre nga dhjetori, kur shpërtheu skandali Balluku, deri në maj, ishin kushtrime për shqiptarët, por ishin dhe një kushtrim për komunitetin ndërkombëtar.

Çdo e keqe ka një fund, kurrë nuk ka të keqe pa fund, dhe e vërteta është se ju jeni jo vetëm lajmëtarët, por dhe arkitektët e fundit të kësaj të keqeje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco