Qeveria propozon krijimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat (DVKD), një platformë elektronike që bashkon procedurat doganore dhe jodoganore në një sistem të vetëm, me qëllim reduktimin e burokracive dhe lehtësimin e procedurave për operatorët ekonomikë që kryejnë import, eksport dhe transit. Bizneset do të kenë një pikë të vetme kontakti për dorëzimin e dokumenteve, ndërsa lejet, licencat dhe autorizimet do të verifikohen automatikisht nga institucionet përgjegjëse përmes shkëmbimit elektronik të informacionit, pa nevojën e paraqitjeve të përsëritura nga operatorët.
Portali “e-Albania” do të shërbejë si pika e vetme kontakti për bizneset, ndërsa sistemi do t’u mundësojë dorëzimin e një grupi të integruar të dhënash që përfshin deklaratat doganore dhe dokumentacionin për formalitetet jodoganore. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të jetë autoriteti përgjegjës për funksionimin e sistemit, ndërsa AKSHI do të administrojë dhe mirëmbajë infrastrukturën teknike, duke garantuar funksionimin e platformës, sigurinë kibernetike dhe ndërveprimin mes institucioneve.
Projektligji parashikon krijimin e një Komiteti Mbikëqyrës me përfaqësim të institucioneve shtetërore dhe komunitetit të biznesit për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të sistemit. Parashikohet gjithashtu integrimi i ardhshëm me sistemin europian EU CSW-CERTEX; lidhja efektive me këtë platformë parashikohet të realizohet me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deri atëherë, do të zbatohet një plan kombëtar për zhvillimin e sistemit.
Ministritë dhe autoritetet kompetente kanë 12 muaj nga hyrja në fuqi të projektligjit për të harmonizuar legjislacionin sektorial. Shërbimet e reja do të fillojnë pas ngritjes dhe funksionimit të plotë të platformës, sipas afateve që do të përcaktohen me akte nënligjore.
Në të njëjtën paketë ligjore janë propozuar edhe ndryshime për tarifat e licencave në fushën e artikujve piroteknikë dhe lëndëve plasëse për përdorim civil. Për trajtimin e aplikimeve për licenca dhe autorizime, tarifat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave; për artikujt piroteknikë, të ardhurat nga këto tarifa parashikohen të derdhen në buxhetin e shtetit. Projektligjet janë propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend dhe ende nuk janë në fuqi.
