Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se ky vendim do të ishte në përputhje me parimet për të cilat Ukraina po lufton kundër agresionit rus.
Në një opinion të publikuar në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka kundërshtuar krahasimet që presidenti rus Vladimir Putin ka bërë mes Kosovës dhe aneksimit të Krimesë, duke theksuar se bëhet fjalë për dy raste me histori dhe rrethana krejtësisht të ndryshme.
Kryeministri ka rikujtuar se në gusht të këtij viti Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Sipas Kurtit, është domethënëse që kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, të cilën ai e cilëson si një nga aleatët më të afërt të Rusisë.
Në të kundërt, Kosova ka mbështetur Ukrainën që prej nisjes së agresionit rus, duke dënuar sulmet e Moskës, duke u rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke strehuar gazetarë ukrainas e duke kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake.
Kurti argumenton se të dy vendet kanë përvoja historike që lidhen me pretendimet territoriale të një shteti fqinj, të mbështetura në interpretime të historisë. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk e bën të pranueshme që rasti i Kosovës të përdoret si justifikim për aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia.
Në opinionin e tij, kryeministri i Kosovës i është referuar deklaratave të Putinit pas aneksimit të Krimesë, kur presidenti rus pretendoi se Perëndimi kishte krijuar precedentin e Kosovës dhe se banorët e gadishullit po kërkonin të njëjtën të drejtë. Kurti vlerëson se Moska e përdor këtë krahasim jo për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare, por për të diskredituar Perëndimin dhe për të paraqitur veprimet e saj si të krahasueshme me ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
Për të argumentuar dallimet mes dy rasteve, Kurti ka rikthyer zhvillimet që i paraprinë pavarësisë së Kosovës, duke përmendur represionin ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, luftën, spastrimin etnik dhe krimet e kryera nga Serbia.
Ai ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, negociatat ndërkombëtare për statusin e Kosovës, të nisura në vitin 2005 nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, si dhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010.
Kjo gjykatë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Duke iu referuar këtij vendimi dhe rrethanave historike, Kurti thekson se pavarësia e Kosovës nuk mund të shërbejë si precedent për aneksimin e territoreve nga një shtet tjetër.
“Kosova nuk është precedenti i Putinit”, shkruan ai, duke nënvizuar se çdo rast i vetëvendosjes duhet të vlerësohet mbi bazën e historisë dhe rrethanave konkrete.
Një pjesë të opinionit, Kurti ia ka kushtuar edhe personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ai thekson se familjet vazhdojnë të kërkojnë mbetjet mortore të të afërmve të tyre, ndërsa Serbia nuk ka dhënë informacion të plotë për vendndodhjen e varrezave masive.
Në këtë kontekst, kryeministri ka përmendur edhe vizitën e tij gjatë verës në Zubin Potok, ku në një zonë pyjore janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se lidhen me civilë të rrëmbyer dhe zhdukur me forcë gjatë luftës.
Në përfundim, Kurti ka theksuar orientimin e përbashkët të Kosovës dhe Ukrainës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke argumentuar se njohja e Kosovës nga Kievi do të ishte në përputhje me parimet e respektimit të rendit ndërkombëtar, mosndryshimit të kufijve me forcë dhe të drejtës së popujve për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
“Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, e përfundon Kurti opinionin e tij në “Kyiv Post”.
My opinion piece for Kyiv Post on why Ukraine should recognize Kosova’s independence: https://t.co/Py9ZK9BWU7
— Albin Kurti (@albinkurti) November 20, 2026


