Aktualitet

Vendimet e Qeverisë/ Doganat drejt një sistemi të vetëm elektronik, bizneset do të kryejnë online procedurat për importin dhe eksportin!

Qeveria propozon krijimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat (DVKD), një platformë elektronike që synon të bashkojë procedurat doganore dhe jodoganore në një sistem të vetëm.

Bizneset do të kenë një pikë të vetme kontakti për dorëzimin e dokumenteve, ndërsa lejet, licencat dhe autorizimet do të verifikohen automatikisht nga institucionet përgjegjëse.

Përmes projektligjit për krijimin dhe funksionimin e DVKD-së, synohet reduktimi i burokracive dhe lehtësimi i procedurave për operatorët ekonomikë që kryejnë aktivitete importi, eksporti dhe tranziti.

Portali “e-Albania” do të shërbejë si pika e vetme e kontaktit për bizneset, ndërsa shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve do të realizohet elektronikisht.

Sipas vendimeve të Qeverisë, sistemi do t’u mundësojë bizneseve dorëzimin e një grupi të integruar të dhënash, që përfshin deklaratat doganore dhe dokumentacionin për formalitetet jodoganore.

Në këtë mënyrë, lejet, licencat dhe autorizimet do të jenë të disponueshme për Doganat përmes shkëmbimit elektronik të informacionit, pa pasur nevojë që bizneset t’i paraqesin në mënyrë të përsëritur.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të jetë autoriteti përgjegjës për sistemin, ndërsa AKSHI do të administrojë dhe mirëmbajë infrastrukturën teknike, duke garantuar funksionimin e platformës, sigurinë kibernetike dhe ndërveprimin mes institucioneve.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një Komiteti Mbikëqyrës, ku do të përfaqësohen institucionet shtetërore dhe komuniteti i biznesit, për të koordinuar dhe monitoruar zbatimin e sistemit.

Një tjetër element është integrimi i ardhshëm me sistemin evropian EU CSW-CERTEX. Lidhja efektive me këtë platformë parashikohet të realizohet me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deri atëherë, do të zbatohet një plan kombëtar për zhvillimin e sistemit.

Sipas projektligjit, ministritë dhe autoritetet kompetente do të kenë 12 muaj nga hyrja në fuqi e tij për të harmonizuar legjislacionin sektorial.

Shërbimet e reja do të fillojnë të zbatohen pas ngritjes dhe funksionimit të plotë të platformës, sipas afateve që do të përcaktohen me akte nënligjore.

Në të njëjtën paketë janë propozuar edhe ndryshime për tarifat e licencave në fushën e artikujve piroteknikë dhe lëndëve plasëse për përdorim civil.

Në të dyja rastet, tarifat për trajtimin e aplikimeve për licenca dhe autorizime do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për artikujt piroteknikë, të ardhurat nga këto tarifa parashikohen të derdhen në buxhetin e shtetit.

Projektligjet janë propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, ndaj masat e parashikuara nuk janë ende në fuqi.