Niveli i mosbesimit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e ka shtyrë këtë të fundit t’i drejtohet zyrtarisht KQZ-së me kërkesën që identifikimi elektronik të mos zbatohet në zgjedhjet e 9 majit.
Për t’i bindur anëtarët e Komisionit Rregullator, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, dorëzoi raportin e ndërthurjes së të dhënave nga pajisjet elektronike të identifikimit të përdorura në zgjedhjet e kaluara.
Të lidhura
None found
Në kërkesën e dorëzuar, Partia Demokratike shpreh kundërshtinë ndaj identifikimit elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 dhe i kërkon komisionit të mos e miratojë propozimin përkatës. Sipas PD-së, vetë raportet zyrtare të hartuara nga përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dëshmuar se votimi i dyfishtë dhe i shumëfishtë nuk parandalohet. Madje, ka raste të raportuara nga vetë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ku i njëjti shtetas ka votuar me 27 karta të ndryshme, duke përdorur të njëjtën shenjë gishti. Për këtë arsye, Partia Demokratike është kundër përdorimit të pajisjeve të identifikimit elektronik në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027.
Për shkak të kësaj kërkese, anëtarët e Komisionit Rregullator kërkuan kohë për të siguruar një opinion edhe nga nënkomisionerja Lealba Pelinku, përgjegjëse për teknologjinë zgjedhore.
Që ky akt të miratohet, nevojiten katër vota pro nga pesë anëtarët e Komisionit Rregullator; meqë dy prej anëtarëve janë propozuar nga opozita, kalimi i tij konsiderohet i pamundur.
Identifikimi elektronik u aplikua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, si një nga pikat e marrëveshjes së 5 qershorit ndërmjet PS-së dhe PD-së, e ndërmjetësuar nga ish-ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.
Për të vënë në jetë identifikimin elektronik janë blerë më shumë se 5 mijë e 200 pajisje, me një kosto të vlerësuar rreth 30 milionë euro.







