Në Shënjestër
Automjeti tip “Porsche Cayenne” në pronësi të Armand Shakajt u kthye në një nga provat kryesore të hetimit për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Pas verifikimeve të kamerave të sigurisë, policia zbuloi se makina ishte dërguar në një lavazh në zonën e “Siri Kodrës”, në fund të Bulevardit të Ri.
Sipas dosjes hetimore, më 6 qershor 2026, Shakaj kishte dërguar automjetin për një larje të plotë. Pronari i lavazhit, Petrit K., tregoi se makina ishte shumë e ndotur nga balta dhe se drejtuesi kishte kërkuar pastrimin e saj edhe në pjesën e brendshme.
Në dëshminë e tij në polici, ai i kishte thënë: “Dua të laj automjetin komplet, brenda dhe jashtë, si dhe tapicerinë.” Më tej, sipas tij, drejtuesi i automjetit i kishte deklaruar: “Sa kushton tapiceria për ta larë, sepse është me baltë shumë.”
Por gjatë pastrimit, dy punonjësit e lavazhit konstatuan diçka që do të merrte rëndësi të madhe për hetimin: njolla të kuqe, që në pamje të parë ngjanin me gjak, në pjesën e tapetit pas sediljes së shoferit. Ndërkohë, në bagazh u konstatuan një lopatë, një krik, vegla pune dhe sende të tjera.
Në dëshminë e tij, pronari i lavazhit tregoi edhe për sendet që kishte vënë re në automjet: “Në bagazhin e këtij automjeti ndodhej një lopatë gome, një krik, xhiromakine dhe disa bidona me ujë.”
Dy punonjësit që pastruan automjetin konfirmuan gjithashtu praninë e njollave të dyshimta. Ata deklaruan në polici: “Gjatë pastrimit në pjesën e tapetit të automjetit tip ‘Porsche Cayenne’, mbrapa ndenjëses së shoferit, konstatuam lëng të kuq, në pamje të parë si gjak.”
Pronari i lavazhit arriti të identifikonte Armand Shakajn pasi iu paraqit fotografia e tij nga policia. Ai tregoi gjithashtu se Shakaj kishte mbërritur në lavazh i shoqëruar nga një person tjetër, të cilin punonjësit e dëgjuan ta thërriste me emrin “Enea”.
Verifikimet zbuluan se bëhej fjalë për Enea Zyferin, kamarierin që punonte në lokalin e Shakajt. Gjetjet në automjet, njollat e dyshuara si gjak dhe prania e mjeteve të punës u kthyen në indicie të rëndësishme për grupin hetimor.
