SPAK regjistron procedim penal për Elisa Spiropalin dhe bashkëshortin

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.11.2026, 20:41

Prokuroria e Posaçme (SPAK) raportohet se ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimeve që lidhen me deputeten socialiste Elisa Spiropali dhe bashkëshortin e saj, Salarjon Totaj. Sipas mediave, bëhet fjalë për dyshime që përfshijnë deklarimin e rremë, mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë, pastrimin e parave, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin.

Burime të cituara nga mediat bëjnë me dije se procedimi është regjistruar rreth fundit të muajit tetor 2026, pa emra personash nën hetim, por vetëm për veprat penale të dyshuara. Mësohet se SPAK ka nisur veprimet hetimore për verifikimin e pretendimeve dhe dokumentacionit të paraqitur në kallëzim.

Sipas raportimeve, materiali kallëzues përmban dokumente që lidhen me deklarimet e pasurisë, aktivitetet tregtare, ndryshimet e pronësisë së kompanive, transaksionet financiare, të ardhurat dhe pasuritë e luajtshme e të paluajtshme. Përveç Spiropalit, në kallëzim përmenden edhe persona të tjerë, mes të cilëve bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, ndërsa mbetet për t'u përcaktuar nëse hetimet do të shtrihen ndaj tyre.

Zhvillimet vijnë në një moment përplasjesh të forta publike mes deputetes socialiste dhe drejtuesve të administratës tatimore. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka deklaruar se gjatë kontrolleve në bizneset familjare janë konstatuar dyshime për shkelje tatimore. Ai ka pretenduar gjithashtu se inspektorët janë përballur me presione dhe kërcënime, ndërsa shkeljet e dyshuara janë referuar pranë institucioneve kompetente.

Nga ana tjetër, Spiropali ka pretenduar se kontrollet ndaj bizneseve të familjes së saj janë përdorur si instrument presioni politik, duke akuzuar zyrtarë të administratës për veprime të motivuara politikisht.

Çështja pritet të marrë vëmendje të madhe publike, pasi përfshin një deputete dhe ish-drejtuese të lartë të shtetit, si dhe dyshime që lidhen me pasuritë dhe aktivitetet ekonomike familjare.

Deri më tani, SPAK nuk ka konfirmuar publikisht regjistrimin e një procedimi penal me emrin e Elisa Spiropalit apo statusin e saj si person nën hetim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit