
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me 10 vota pro ndryshimet në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, duke përfshirë në listën e produkteve që përfitojnë normën e reduktuar prej 6% ujin, produktet e higjienës menstruale dhe pelenat për fëmijët. Yzeiraj u ndal gjithashtu te taksimi vjetor i makinave elektrike, të cilat deri më tani kanë përfituar lehtësi fiskale. Zëvendësministri theksoi edhe ndryshimet në akcizën e biodizelit dhe diskutimet për produktet e nikotinës orale, duke nënvizuar se paketa synon një rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave.
Komisioni i Ekonomisë miratoi ditën e sotme disa ndryshime në paketën fiskale. Ku mund të përqendrohemi dhe cilat janë ato?
Endrit Yzeiraj: Komisioni pati disa diskutime që është normale në atë që është procesi i miratimit çdo vit, qoftë të buxhetit, qoftë të paketës fiskale, ku sugjerojnë gjithmonë komente apo shtesa të fundit në bazë edhe të grupeve të interesit që ata kanë konsultuar gjatë javës së fundit. Pra kuptohet në tërësi paketa fiskale mbetet ajo që është propozuar nga Këshilli i Ministrave, nga qeveria, një paketë fiskale që synon të jetë neutrale për sa i përket nivelit të të ardhurave. Pra nuk sugjeron ose nuk synon të mbledhë më shumë të ardhura, por synon patjetër të mbledhë më shumë të ardhura nga shtresat që kanë përfituar më shumë nga rritja ekonomike e viteve të fundit, teksa ndihmon nga ana tjetër shtresat më vulnerable.
Sot pati disa shtesa që i votuan deputetët, pra ishin propozime të tyre për të shtuar në listën e grupeve që do të përfitojnë nga një TVSH e reduktuar edhe tre produkte të tjera: ujin dhe produktet sanitare për fëmijë. Kuptohet që këto janë propozime që i shkojnë seancës plenare. Do të jetë seanca plenare pastaj që në fund do të marrë vendimin final nëse do i marrë parasysh këto propozime apo jo. Dhe pati një diskutim për makinat elektrike, ku Ministria e Financave shpjegoi edhe njëherë politikën që kemi ndërmarrë, kur patjetër ka dhe do të vazhdojë të ketë një regjim tatimor të favorshëm për makinat elektrike. Regjimi ynë tatimor aktualisht, duke pasur parasysh heqjen totale qoftë të tarifave doganore qoftë të TVSH-së për makinat elektrike, në fakt ka incentiva mjaft thelbësore për makinat elektrike. Kuptohet që kërkon nga ana tjetër që makinat elektrike të paguajnë taksën e qarkullimit tashmë jo në pompat e naftës apo të karikimit.
Pra do të ketë një taksë vjetore për makinat elektrike që deri në këto momente nuk e kanë pasur?
Endrit Yzeiraj: Patjetër, sepse ka një element që duhet të kemi parasysh, edhe e them këtë si një përdorues i makinave elektrike, që sot makinat elektrike, sidomos në Tiranë por edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, janë shtuar dhe po përdorin infrastrukturën lokale. Pra patjetër që ka dy incentiva shumë të forta fiskale në këtë moment, reduktimi në zero qoftë i tarifave doganore qoftë i TVSH-së.
Përdorimi i infrastrukturës dhe mirëmbajtja e infrastrukturës kërkon patjetër një kontribut edhe nga këto makina, sepse janë sot një pjesë e konsiderueshme e flotës. Pra nuk janë më një pjesë irelevante e flotës. Teksa po bëhen gjithmonë një pjesë më e rëndësishme e flotës së makinave, patjetër do të duhet të kontribuojnë në mirëmbajtjen dhe në zhvillimin e infrastrukturës lokale. Pati edhe një diskutim për sa i përket ligjit të akcizave ku ka pasur një ndryshim për sa i përket biodizelit.
Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave i mbetën propozimit që biodizeli, një tjetër produkt i cili deri më sot është taksuar ose ka pasur një akcizë në bazë të kilogramit, sot edhe në përputhje me direktivat europiane do të ketë një akcizë në bazë të litrave. Ndërkohë ka një diskutim në lidhje me një product, duhanin, nikotinën orale, ku zoti Braçe pretendon që produkti është në fakt i bllokuar, pra nuk duhet të jetë absolutisht i lejuar. Do të duhet të marrim një konfirmim edhe nga Ministria e Shëndetësisë edhe doganat për llojin e këtij produkti, sepse është një produkt dhe një kod specifik për të parë diferencimin apo kategorizimin e tij. Por siç e thashë, në tërësi këto janë ndryshime finale që bëhen gjithmonë tek paketa.
Ajo çka është e rëndësishme është se paketa fiskale synon të mbledhë më shumë të ardhura nga shtresat më të pasura, nga shtresat që kanë pasur më shumë sukses në ekonominë e vendit gjatë katër-pesë viteve të fundit dhe nga ana tjetër synon të rishpërndajë këto të ardhura te shtresat në nevojë, duke qenë kështu një paketë sociale dhe një paketë fiskale që ndihmon kohezionin social. /Vizion Plus/
