EULEX-i: Zyrtarët tanë nuk drejtuan armë ndaj askujt gjatë vizitës së Jakup Krasniqit
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave për trajtimin e pretenduar të papërshtatshëm të armëve të zjarrit nga zyrtarët policorë të misionit, gjatë ofrimit të mbështetjes logjistike dhe operative për Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin e Jakup Krasniqit.
Përmes një komunikate, EULEX-i i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara, duke i mohuar kategorikisht ato.
Misioni ka sqaruar se bëhet fjalë për një vizitë në paraburgim të Jakup Krasniqit, e cila ishte realizuar për arsye të domosdoshme humanitare.
“EULEX-i thekson fuqishëm se zyrtarët policorë të misionit nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt, në asnjë moment”, thuhet në reagim.
EULEX-i ka theksuar gjithashtu se personeli i tij i trajton armët e zjarrit në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Reagimi i misionit vjen pas raportimeve të disa mediave se një pjesëtar i EULEX-it ia kishte drejtuar armën një familjari të Jakup Krasniqit.















