Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Kukës, ku një konflikt i nisur pas një përplasjeje pasqyrash mes dy automjeteve ka përfunduar me dhunë fizike.
Mësohet se shtetasi Valdet D., teksa po udhëtonte me automjetin e tij, është përfshirë në një konflikt me Sadi E., pasi automjetet e tyre kanë prekur pasqyrat. Të dy personat mësohet se njiheshin me njëri-tjetrin dhe ishin bashkëfshatarë.
Fillimisht, debati mes tyre është shoqëruar me sharje dhe ofendime nga të dyja palët. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndaluar Valdet D.
Por, sipas gazetarit Eraldo Harlicaj, konflikti nuk është mbyllur me kaq. Sadi ka thirrur xhaxhain e tij, Saminë, dhe së bashku janë rikthyer në vendngjarje.
Pasi kanë shkuar në vendngjarje kanë përplasur automjetin e Valdetit dhe më pas ata kanë marrë forcërisht atë nga duart e efektivëve duke e futur në automjetin e tyre tip ML, me ngjyrë të bardhë.
Më pas ata e kanë dërguar Valdetin në një zonë pyjore, ku e kanë dhunuar fizikisht dhe e lanë në mes të pylli, ndërsa vetë të dy janë larguar në drejtim të Kukësit.
Për neutralizimin e autorëve është dashur ndërhyrja e forcave të specializuara të Policisë.













