FOTOT/ Gratë afgane sfidojnë ndalesat e talebanëve përmes arsimit, sportit dhe punës në fshehtësi

Një galeri fotografike e kuruar nga redaktorët e agjencisë Associated Press (AP) dokumenton realitetin dhe qëndresën e përditshme të grave në kryeqytetin afgan, të cilat vazhdojnë të studiojnë, të punojnë dhe të zhvillojnë aktivitete sociale në fshehtësi, duke rrezikuar ndëshkime të rënda nën regjimin e talebanëve.
Që prej rikthimit të grupit në pushtet në gusht të vitit 2021, jeta publike dhe e përditshme e grave në Afganistan është kufizuar drastikisht. Autoritetet talebane u kanë ndaluar atyre aksesin në shumicën e vendeve të punës dhe në arsimim, ndërsa e ashtuquajtura polici e moralit mbikëqyr zbatimin e rreptë të kodeve të veshjes dhe rregullave që u kërkojnë grave të shoqërohen nga të afërm meshkuj sa herë që dalin jashtë shtëpisë.
Arsimi, puna dhe sporti si forma të sfidës
Përballë këtyre kufizimeve, një pjesë e grave në Kabul kanë gjetur mënyra alternative për të mbajtur gjallë arsimimin dhe pavarësinë ekonomike, duke vepruar larg syve të autoriteteve.
Disa gra vazhdojnë “japin mësim dhe studiojnë fshehurazi, duke rrezikuar ndëshkimin sipas rregullave të talebanëve”. Përveç arsimit, raportimi evidenton se disa të tjera “drejtojnë sallone të fshehta ose luajnë sporte, duke shpresuar të frymëzojnë të tjerët”.
Përmes këtyre iniciativave të fshehta, gratë e Kabulit përpiqen të ruajnë dinjitetin, zhvillimin personal dhe shpresën për të ardhmen, pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm me të cilin përballen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.















