Prej një viti, Neda Balluku nuk arrin të takojë dy djemtë e saj të mitur. Nëna denoncoi në “Fiks Fare” babain e fëmijëve, Ogren Balluku, për moszbatimin e vendimit gjyqësor që i njeh të drejtën e takimeve. Por investigimi i Fiks Fare solli fakte të reja, duke ngritur pikëpyetje si mbi veprimet e përmbarueses Anxhela Doleqi, ashtu edhe mbi presionin që, sipas dëshmive të stafit mjekësor, Ogren Balluku ka ushtruar ndaj një mjekeje pediatre.

Pas vendimit gjyqësor për divorcin, i cili tashmë ka kaluar në Apel, është lënë në fuqi edhe masa e përkohshme që parashikon takimet e nënës me fëmijët. Por, për shkak se vendimi nuk zbatohej nga babai, Neda Balluku iu drejtua Zyrës Përmbarimore të Tiranës për ekzekutimin e tij.

Në dosjen gjyqësore ishte përfshirë edhe një raport psikologjik, i hartuar nga një eksperte e caktuar nga gjykata, e cila kishte evidentuar elementë të alienimit prindëror, duke identifikuar babain si prindin ndikues.

Por, sipas dokumentacionit të siguruar nga “Fiks Fare”, përmbaruesja Anxhela Doleqi, pas kërkesës së Ogren Ballukut, kërkoi një vlerësim të ri psikologjik. Raporti i dytë arriti në një përfundim të ndryshëm, duke mos e identifikuar më babain si prind që ushtronte alienim prindëror.

Një tjetër fakt i rëndësishëm lidhet me përcjelljen e këtij informacioni te gjyqtari që shqyrtonte çështjen e divorcit. Gjyqtari e refuzoi dokumentin dhe e ktheu mbrapsht, duke sqaruar se nuk kishte kërkuar një vlerësim të tillë. Një veprim që ngre pikëpyetje mbi ndërhyrjen e përmbarueses në një proces gjyqësor.

Investigimi zbuloi gjithashtu se, pavarësisht urdhrit të kryetarit të Zyrës Përmbarimore për transferimin e dosjes, Anxhela Doleqi nuk e dorëzonte atë. Gazetarët e Fiks Fare e takuan përmbaruesen dhe i kërkuan shpjegime për kërkesën e raportit të ri psikologjik dhe refuzimin për të dorëzuar dosjen. Por ajo u përgjigj vetëm: “Bëni një kërkesë zyrtare, nuk mund të flas”.

Fakte të reja u sollën edhe për një episod që lidhet me vajzën e vogël. Ogren Balluku pretendonte se në një prej datave të caktuara nuk ishte realizuar takimi me të miturën.

Por, sipas një raporti mjekësor të siguruar nga Fiks Fare, vajza kishte qenë e sëmurë. Pas lëshimit të këtij raporti, Ogren Balluku dyshohet se ka ushtruar presion ndaj stafit mjekësor, duke kërkuar shpjegime se përse ishte pajisur e mitura me dokumentin mjekësor. Në një video të siguruar nga Fiks Fare, punonjësit shëndetësorë tregojnë se ai ka ushtruar presion ndaj mjekes pediatre.

Për të kuptuar pasojat që mund të ketë alienimi prindëror te fëmijët, Fiks Fare mori edhe mendimin e psikologes Denada Toçe. Ajo shpjegoi se shtrembërimi i imazhit të njërit prind përmes ndikimit të prindit tjetër mund të shkaktojë dëme të rënda emocionale. Sipas saj, kjo formë dhune psikologjike mund të lërë trauma që kërkojnë ndërhyrjen e specialistëve dhe një proces të gjatë trajtimi. Kështu, investigimi i Fiks Fare nxjerr në pah disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje: Pse u kërkua një raport i ri psikologjik nga përmbaruesja? Pse nuk u dorëzua dosja pas urdhrit për transferim? Dhe përse u ushtrua presion ndaj mjekes pediatre për një raport që dokumentonte gjendjen shëndetësore të një fëmije? Ndërsa institucionet dhe palët duhet të japin shpjegimet e tyre, në mes të kësaj përplasjeje mbeten fëmijët, ndërsa Neda Balluku vijon të kërkojë të drejtën për t’i takuar.

Top Channel