Vendosni fjalën kyçe....

“Kursi i euros i paparashikueshëm, po hyn shumë valutë nga investimet” – Sqarimi i vartësit të Sejkos


Përfaqësuesi i Bankës së Shqipërisë Enian Çela pohoi mbrëmjen e sotme se është e pamundur të parashikohet kursi i Euros mes pikiatës së monedhës evropiane.

I ftuar në emisionin “Pa Portofol” në Report Tv, zyrtari i Departamentit të Politiës Monetare theksoi se në treg po hyn shumë valutë, kryesisht nga investimet e huaja direkte.

Euro ka humbur shumë terren përballë lekut. Brenda 10 vitesh një euro është zhvlerësuar me ritme të shpejta, dhe aktualisht kushton 45.6 lekë më pak.  Edhe pse mesatarja e këmbimit në tetor ishte 91.3 lekë, ditët e fundit euro po këmbehet deri 89 lekë.

“Kursi i këmbimit nuk është diçka që parashikohet nga ana e Bankës së Shqipërisë. Ne vetëm mund të analizojmë arsyet pse kursi i këmbimit është aty ku është dhe ka këtë lloj tendence. Arsyet lidhen me zhvillime strukturore në ekonomi, ose më saktë, përmirësime strukturore në ekonomi, dhe janë të lidhura kryesisht me sektorin e jashtëm. Nga njëra anë kemi deficitin e llogarisë korrente, i cili, gjatë së njëjtës periudhë që vihet re ky forcim i kursit të këmbimit, është ngushtuar në mënyrë të ndjeshme. Besoj se para 10 vitesh deficiti arrinte pothuajse në vlera dyshifrore, ndërkohë që vitin e kaluar ka qenë pothuajse në nivelin zero, pra 0,7% në raport me PBB-në. Pra, marrëdhënia jonë me botën e jashtme është përmirësuar ndjeshëm. Nga ana tjetër, paralelisht me këtë, kemi edhe flukse shumë të larta hyrëse të valutës, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, të cilat financojnë deficitin dhe pjesa e mbetur pastaj qëndron në treg. Në qoftë se një mall i caktuar ka ofertë të lartë në treg, përgjithësisht vlera e tij do të bjerë. Ajo që rritet në këtë rast është monedha vendase. Ne vëmë re që këto kushte kanë vazhduar përgjatë gjithë kësaj periudhe të forcimit dhe janë të pranishme edhe gjatë vitit 2026. Nuk mund t’ju them për tremujorin e katërt, as për tremujorin e tretë, sepse shifrat janë ende të padisponueshme. Megjithatë, në bazë të të dhënave indirekte që kemi, ne shohim që situata ka vazhduar dhe vazhdon edhe përgjatë këtij viti. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë, sepse ne veprojmë në një regjim të lirë të kursit të këmbimit.”, tha ai.