“Fshehje pasurie dhe evazion fiskal”, SPAK regjistron procedim penal për familjarët e Spiropalit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal ndaj Salarjon Totajt, bashkëshortit të deputetes Elisa Spiropali.
Regjistrimi penal vjen pas kallëzimit të bërë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pasi rezulton se gjatë kontrollit të ushtruar janë vërejtur elemente të fshehjes së pasurisë dhe evazionit fiskal.
Ky fakt u përmend edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, i cili iu përgjigj zonjës Spiropali lidhur me akuzat e bëra ndaj tij.
“Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.
Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.
Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme”, deklaronte në reagimin e tij Binaj.



