Tregjet financiare në mbarë botën po përballen me një valë të fortë shitjesh, ndërsa që prej kulmit të regjistruar në gusht, nga kapitalizimi i tregut global të aksioneve janë fshirë pothuajse 9 trilionë dollarë.

Rënia po nxitet nga shqetësimet në rritje mbi qëndrueshmërinë e investimeve gjigante në inteligjencën artificiale (AI), si dhe nga pritshmëritë për rritje të mëtejshme të normave të interesit në SHBA.

Sipas Reuters, goditjen më të rëndë e kanë marrë tregjet aziatike, të cilat kanë regjistruar javën më të keqe që nga viti 2020. Në Tajvan, aksionet humbën rreth 17 për qind të vlerës brenda vetëm pesë ditësh, rënia më e fortë javore që nga fillimi i viteve 1990.

Të dhënat e kompanisë financiare LSEG tregojnë se tregu tajvanez ka humbur rreth 1.12 trilionë dollarë nga kapitalizimi i tij, krahasuar me rekordin e arritur më 6 tetor.

Presioni i shitjeve është ndjerë edhe në bursat e tjera aziatike. Indeksi japonez Nikkei ra të premten me më shumë se 4 për qind, ndërsa indeksi i Koresë së Jugut, KOSPI, humbi mbi 4 për qind të vlerës.

Valës së rënies nuk i kanë shpëtuar as tregjet evropiane. Indeksi pan-evropian STOXX 600 regjistroi një humbje prej 1.5 për qind gjatë orëve të paradites.

Ndërkohë, në Wall Street, indeksi S&P 500 humbi të enjten 2 për qind, duke shënuar ditën e gjashtë radhazi në rënie. Kjo është seria më e gjatë negative për indeksin që nga viti 2024.

Edhe indekset e tjera kryesore amerikane pësuan humbje të konsiderueshme. Dow Jones ra me 1.101 pikë, ose 2.2 për qind, ndërsa Nasdaq, ku pesha kryesore i përket kompanive të teknologjisë, humbi 2.3 për qind.

Tendenca negative vijoi edhe të premten. Në nisje të sesionit të tregtimit, S&P 500 ishte në rënie me rreth 0.5 për qind, ndërsa Nasdaq regjistronte humbje prej afërsisht 1.3 për qind.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb