Një kërcënim për shpërthim bombe në avionin e linjës Manchester-Rinas ka vënë në lëvizje mbrëmjen e sotme shërbimet e Policisë Kufitare në aeroportin e Rinasit.

Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit, menaxheri i aeroportit njoftoi policinë se në tualetin e mjetit fluturues ishte gjetur një letër e shkruar në gjuhën angleze, ku përmbahej një mesazh kërcënues për vendosjen e një bombe.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë në pistë dhe organizuan zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, nisi kontrolli i imtësishëm i avionit, udhëtarëve dhe bagazheve, me ndihmën edhe të qenve antieksplozivë.

Pasagjerët u kontrolluan në grupe, fillimisht nga efektivët e Policisë dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të ndihmonin në zbulimin e autorit të mesazhit kërcënues.

Nga kontrolli i kryer në avion nuk u gjet asnjë send shpërthyes.

Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.

Njoftimi i policisë:

Rinas/ Informacion paraprak

Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.

Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.

Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.

Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb