Një mesazh kërcënues për shpërthim bombe është gjetur në tualetin e avionit të linjës Manchester-Rinas, pak para uljes në aeroportin e Rinasit.
Pas njoftimit nga menaxheri i aeroportit, policia ka ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve dhe kontrollin e avionit, bagazheve dhe udhëtarëve.
Në operacion janë angazhuar edhe qen anti-eksplozivë, por nga verifikimet nuk është konstatuar asnjë lëndë shpërthyese. Antiterrori dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për identifikimin e personit që ka shkruar letrën kërcënuese.
Njoftimi i plotë:
Rinas/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.










Komente
Komento