
Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, kritikoi të premten uljen e TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqjen e taksës së qarkullimit nga karburantet, dy prej masave kryesore të paketës fiskale të qeverisë sw kryeministri Edi Rama për vitin 2027, duke paralajmëruar se masa kanë kosto të lartë për buxhetin dhe nuk janë të shënjestruara te familjet në nevojë.
Ekspertët e FMN-së vlerësojnë se paketa fiskale përmban hapa pozitivë për zgjerimin e bazës tatimore dhe kufizimin e trajtimeve preferenciale, por kundërshtojnë disa nga masat që synojnë uljen e kostos së jetesës.
“Ulja e përhershme e normës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe eliminimi i taksës së qarkullimit kanë kosto fiskale, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe përfitojnë prej tyre segmente të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje”, thuhet në deklaratën e Fondit.
Sipas FMN-së, mbështetja për familjet e cenueshme do të ishte më efektive nëse ofrohej përmes ndihmës sociale të drejtpërdrejtë dhe të shënjestruar, në vend të uljes së përgjithshme të taksave mbi konsumin.
Megjithatë, Fondi mirëpret disa elemente të tjera të paketës, përfshirë uljen e pragut të regjistrimit në TVSH, përafrimin e tatimit mbi dividendin me taksat e tjera dhe reduktimin e trajtimit tatimor preferencial për sektorin e akomodimit.
Këto masa, sipas FMN-së, përbëjnë hapa drejt një sistemi tatimor me bazë më të gjerë dhe më neutral, por duhet të shoqërohen me forcimin e kapaciteteve të administratës tatimore për të luftuar informalitetin.
Fondi vlerëson se paketa fiskale, e cila pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027, do të ketë përgjithësisht efekt neutral mbi buxhetin. Megjithatë, ai paralajmëron se si përllogaritjet e të ardhurave shtesë, ashtu edhe ato të kostove fiskale, mbeten të pasigurta.
FMN kërkon politikë fiskale më pak ekspansioniste
Paketa fiskale e vitit 2027, e miratuar në parim nga Kuvendi në seancën e 18 nëntorit, parashikon uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore bazë, ndërsa norma standarde e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e tjera rritet nga 20% në 21%.
Paketa përfshin gjithashtu heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve dhe zhvendosjen e saj te taksimi vjetor i automjeteve, uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore, rritjen e tatimit mbi dividendin dhe kufizimin e lehtësive fiskale për sektorin e akomodimit turistik, ku TVSH-ja rritet nga 6% në 10%. Qeveria e ka paraqitur paketën si një instrument për uljen e kostos së jetesës dhe rishpërndarjen e barrës tatimore, duke pretenduar se efekti i saj i përgjithshëm mbi buxhetin do të jetë neutral.
Paketa fiskale pritet të marrë miratimin e Kuvendit në një klimë tensionesh të forta sociale, ndërsa kryeministri Edi Rama përballet me një valë protestash studentore që kanë vënë në qendër të zemërimit publik korrupsionin, pabarazinë ekonomike dhe koston gjithnjë e më të rëndë të jetesës.
Megjithatë, FMN i rekomandon qeverisë shqiptare të ndjekë një politikë fiskale më pak ekspansioniste gjatë vitit 2027, në kushtet kur ekonomia vijon të operojë mbi potencialin e saj dhe inflacioni mbetet mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Sipas vlerësimeve të Fondit, suficiti primar i buxhetit pritet të mbetet në rreth 0.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2026, përpara se të bjerë në zero në vitin 2027.
FMN rekomandon masa fiskale shtesë me efekt prej 0.3 për qind të PBB-së në buxhetin e vitit të ardhshëm, krahasuar me politikat aktuale.
Fondi kritikon gjithashtu përdorimin e përsëritur të akteve normative për ndryshimin e buxhetit gjatë vitit, përmes të cilave qeveria rishpërndan të ardhurat mbi planin ose fondet e pashpenzuara të investimeve drejt shpenzimeve korrente të paparashikuara.
Sipas ekspertëve, kjo praktikë dobëson besueshmërinë e buxhetit dhe mund të përforcojë luhatjet e ciklit ekonomik.
FMN paralajmëron se në periudhën afatmesme Shqipëria do të përballet me presione të konsiderueshme për rritjen e shpenzimeve në shëndetësi, arsim dhe pensione, ndërsa nevojat e sigurisë mund të rrisin edhe shpenzimet për mbrojtjen.
Sipas përllogaritjeve të Fondit, këto presione shtesë mund të arrijnë në 3 për qind të PBB-së deri në vitin 2031, ndërsa për përballimin e tyre do të nevojiten masa fiskale kumulative me efekt prej 3.7 për qind të PBB-së gjatë periudhës 2026–2031.
Për këtë arsye, FMN rekomandon rritjen e qëndrueshme të të ardhurave buxhetore, përmirësimin e eficiencës së shpenzimeve dhe forcimin e administrimit të investimeve publike.
Ekonomia pritet të ngadalësohet
Pavarësisht kritikave ndaj politikave fiskale, FMN vlerëson pozitivisht performancën makroekonomike të Shqipërisë, duke evidentuar rritjen ekonomike, uljen e borxhit publik dhe forcimin e pozicionit të jashtëm të vendit.
Sipas Fondit, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7 për qind në vitin 2025 dhe ruajti të njëjtin ritëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, e mbështetur nga konsumi privat, turizmi dhe zgjerimi i kredisë.
Megjithatë, rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.5 për qind gjatë vitit 2026 dhe të konvergojë drejt një potenciali afatmesëm prej rreth 3.2 për qind nga viti 2027, për shkak të plakjes së popullsisë, emigracionit dhe tkurrjes së ofertës së punës.
Inflacioni, i cili arriti në 3.4 për qind në tetor 2026 si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, parashikohet të bjerë në 2.7 për qind në fund të vitit 2027.
FMN vlerëson se ndryshimet e propozuara në TVSH dhe taksën e qarkullimit do të kenë një efekt të përkohshëm ulës prej rreth 0.3 pikësh përqindjeje mbi inflacionin, por paralajmëron se mbetet e pasigurt se në çfarë mase ndryshimet tatimore do të reflektohen në çmimet e paguara nga konsumatorët.
Në deklaratë, FMN tërheq gjithashtu vëmendjen për rreziqet fiskale që lidhen me zgjerimin e rolit të shtetit në ekonomi, përfshirë ndërmarrjet publike, partneritetet publike-private dhe garancitë qeveritare.
Fondi kërkon që krijimi i ndërmarrjeve të reja shtetërore të mbështetet në nevoja të qarta të tregut dhe të shoqërohet me qeverisje të fortë, financim transparent dhe mbikëqyrje efektive nga Ministria e Financave.
FMN rekomandon gjithashtu që përmirësimi i pensioneve të bëhet përmes një sistemi të qëndrueshëm dhe të bazuar në rregulla, në vend të bonuseve të rastësishme, si dhe propozon lidhjen e moshës së pensionit me jetëgjatësinë.






