Në ditën e kthimit në Vincent Kompany, Bayerni ngec në ndeshjen ndaj FC Köln në Bundesligë
Barazimi ndaj Köln-it merr përmasa edhe më dramatike për bavarezët. Sulmuesi anglez ka këputur një ligament në kyçin e këmbës së majtë, ndërsa edhe francezi është larguar i dëmtuar nga fusha.
Një mbrëmje që nisi me rikthimin e Vincent Kompany-t në pankinë përfundoi në makth për Bayern Munich. Përveç barazimit 1-1 ndaj Köln-it në Allianz Arena, bavarezët humbën edhe dy nga lojtarët më të rëndësishëm të repartit ofensiv, Harry Kane dhe Michael Olise.
Lajmi më i keq vjen për kapitenin e Anglisë. Pas ekzaminimeve mjekësore, klubi konfirmoi se Kane ka pësuar një këputje të ligamentit sindesmotik në kyçin e këmbës së majtë. Sulmuesi u dëmtua në minutën e 20-të, pas një ndërhyrjeje të Joël Schmied në zonën e rreptësisë, dhe u detyrua të linte fushën. Sipas raportimeve, ai pritet të qëndrojë jashtë për rreth tre muaj, megjithëse Bayern-i në njoftimin zyrtar foli për disa muaj mungesë.
Por telashet nuk përfunduan me Kane. Edhe Michael Olise pësoi një dëmtim në pjesën e parë, pas një dueli me Tom Krauß. Francezi arriti të përfundonte 45 minutat e para, por nuk u rikthye në fushë pas pushimit. Bayern-i konfirmoi se lojtari ka pësuar një kontuzion në pjesën e përparme të këmbës dhe do të marrë trajtim gjatë ditëve në vijim.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për Kompany-n, pasi lista e të dëmtuarve përfshin edhe Luis Diaz, Serge Gnabry, Ismael Saibari, Alphonso Davies dhe Manuel Neuer. Një situatë aspak e favorshme për bavarezët, që hyjnë në një periudhë të rëndësishme të sezonit me mungesa të shumta në dispozicion.
Top Channel