
Simona Karafili Demi, motra e Neda Karafilit, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës kërkon ndërhyrje institucionale për situatën familjare me të cilën po përballet e motra.
Në letrën e publikuar në rrjetet sociale, ajo ngre shqetësimin se Neda nuk ka mundur të takojë dy djemtë e saj të mitur prej më shumë se një viti, pavarësisht se, sipas saj, ekziston një vendim gjykate që i garanton të drejtën për të pasur kontakte me fëmijët.
Simona Karafili Demi pretendon se vendimi gjyqësor nuk po zbatohet në praktikë dhe se përpjekjet e vazhdueshme të së motrës për të gjetur zgjidhje përmes institucioneve përgjegjëse nuk kanë marrë përgjigje konkrete.
Ajo i drejton disa pyetje kryeministrit, duke kërkuar të dijë se çfarë vlere kanë vendimet e gjykatës kur ato mbeten vetëm në letër dhe ku janë institucionet që duhet të garantojnë zbatimin e tyre.
Në reagimin e saj, Simona thekson se nuk kërkon ndërhyrjen e Ramës në procesin gjyqësor dhe as mbajtjen e anës së njërit prej prindërve. Sipas saj, kërkesa lidhet me përgjegjësinë e institucioneve për të përmbushur detyrimet ligjore dhe për të mbrojtur interesin më të lartë të fëmijëve.
Ajo kërkon verifikimin e mënyrës se si është trajtuar rasti nga strukturat përgjegjëse, zbatimin e vendimeve gjyqësore, angazhimin e shërbimeve sociale dhe strukturave për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe shqyrtimin e sjelljes së punonjësve me të cilët e motra ka komunikuar.
Në letër, ajo i referohet edhe ligjit nr. 18/2017 për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, i cili parashikon të drejtën e fëmijëve për të ruajtur marrëdhënie personale dhe kontakte të rregullta me të dy prindërit, përveç rasteve kur kjo bie ndesh me interesin e tyre më të lartë.
Në përfundim, Simona Karafili Demi thekson se fëmijët nuk janë pronë e asnjërit prej prindërve dhe kërkon një përgjigje konkrete nga institucionet, duke nënvizuar se asnjë nënë nuk duhet të detyrohet të bëjë publike dhimbjen e saj për të kërkuar të drejtën për të qenë pjesë e jetës së fëmijëve.