Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje për forcimin e partneritetit mes Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke e cilësuar atë si një element kyç për sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e Evropës.
Në përfundim të samitit BE-Mbretëri e Bashkuar, Costa theksoi se bashkëpunimi mes dy palëve nuk duhet të kufizohet vetëm në fushën e mbrojtjes, por duhet të shtrihet edhe në ekonomi, inovacion dhe qëndrueshmëri.
Sipas tij, një Evropë më e sigurt kërkon domosdoshmërisht edhe një ekonomi më të fortë, ndërsa bashkëpunimi me Londrën është një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët.
“Një partneritet i fortë midis Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar përfaqëson një investim strategjik në sigurinë e Evropës, por është gjithashtu një investim në prosperitetin, inovacionin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë tonë të përbashkët, sepse nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa një ekonomi më të fortë”, deklaroi Costa.
Ai nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve do t’u mundësojë të dyja palëve të përballojnë më mirë sfidat e sigurisë dhe ato ekonomike.
“Dhe së bashku do të jemi më të fortë si në frontin e mbrojtjes ashtu edhe në atë ekonomik”, u shpreh presidenti i Këshillit Evropian.
Në fund, Costa bëri të ditur se Bashkimi Evropian po ndjek me interes debatin e rihapur mbi të ardhmen e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar, duke lënë të hapur mundësinë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes dy palëve.
