AK-Invest e Suzana Adilit ombrellë e pikave valutore që lëvizin paratë e drogës dhe call centerave, lidhjet me rrjetet kriminale

Investigim

Publikuar: 21/11/2026

AK-Invest e Suzana Adilit ombrellë e pikave valutore që lëvizin paratë e drogës dhe call centerave, lidhjet me rrjetet kriminale

Institucioni financiar jo-bankar AK-Invest, me administratore dhe pronare kryesore zonjën Suzana Adili, rezulton se përdoret si kamuflim nga disa pika valutore në Tiranë, të cilat operojnë në transferimin e parave (produkt të aktiviteteve kriminale) nga vendet e BE-së në Shqipëri, për pastrim parash dhe sidomos për konvertimin e kriptomonedhave të bosëve të mashtrimit me call centera. Disa dosje penale të SPAK-ut për aktivitetin e pastrimit të parave, por edhe dosje për krime kundër jetës, kanë ekspozuar një rrjet pikash këmbimi valutor në Tiranë, të cilat veprojnë si derivate të kompanisë së transaksioneve monetare AK-Invest, ndërsa janë kthyer në hallka të rëndësishme të grupeve kriminale, duke lëvizur paratë e aktiviteteve të paligjshme.

(Suzana Adili)

AK-Invest sh.a. e ka nisur aktivitetin në vitin 2003 pasi u licencua nga Banka e Shqipërisë si institucion financiar jo-bankar. Banka e Shqipërisë, në vend të rishikimit të licencës për shkak të ekspozimit si mbulesë e aktiviteteve të paligjshme, në vitin 2024 e licencoi AK-Invest edhe si institucion pagesash. Më herët, AK-Invest rezulton se është licencuar nga AMF si agjent në sigurime si dhe për ushtrimin e aktivitetit të kreditimit.

Fakte dhe rrethana, AK-Invest ombrellë e pikave valutore që lëvizin paratë e pista

Pas sinjalizimit nga autoritetet e Zvicrës, SPAK njoftoi disa muaj më parë goditjen e një organizate kriminale të trafikut të drogës në Zvicër, pastrimit dhe dërgimit të parave nga shteti zvicerian drejt Shqipërisë me skemën e njohur kineze Hawala. Ky klan dyshohet se ka transferuar miliona nga Zvicra në Kosovë dhe Shqipëri. Paratë e pista paketoheshin dhe shkëmbeheshin përmes disa pikave valutore në Tiranë. Paratë shkëmbeheshin tek Pallati Nord Konstruksion në Rrugën e Durrësit, ku ishin vendosur disa pika të këmbimit valutor. Personazhi kyç i kësaj skeme ishte Ervis Ferizaj.

Bashkëpunëtori kryesor i Ferizajt është biznesmeni Përparim Kalbaj, i arrestuar me kërkesë të SPAK-ut. Ky i fundit është skeduar dhe arrestuar në vitin 2018 si kreu i një rrjeti shpërndarje kokaine në ish Bllok, por i ka shpëtuar gjithnjë drejtësisë. Krahas arrestimeve në Zvicër dhe Tiranë, SPAK tani ka sekuestruar disa prona dhe shuma të mëdha parash nga dy të dyshuar si drejtues të këtij grupi, Ervis Ferizaj dhe Përparim Kalbaj.

(Përparim Kalbaj)

Për të mundësuar aktivitetin kriminal përdoreshin disa pika valutore, derivat i Ak-Invest. Të gjithë aktivitetin, Kalbaj e mbulonte në letra me emrin e bashkëshortes, Arijana Kalbaj. Në emrin e kësaj të fundit, Përparim Kalbaj ka pasur një pikë këmbimi valutor te Pallati Nord Konstruksion në Rrugën e Durrësit, aty ku banonte Ferizaj. Po në këtë pallat, Kalbaj ka të regjistruar kompaninë Kalbaj shpk, në emër të Arijana Kalbaj, me objekt këmbim valutor.

Në dokumentacionin që kompania e lëvizjes së parave të pista nga Zvicra në Shqipëri, Kalbaj shpk, ka dorëzuar në QKB, deklaron se ushtron veprimtarinë e transferimit të parave në emër dhe për llogari të subjektit financiar jobankë AK-INVEST sh.a. Pra, në letra, pika valutore Kalbaj vepron nën hije dhe për llogari të AK-Invest.

Ndërkaq, për tranferim dhe pastrim parash të pista është përdorur edhe një tjetër pika valutore në Tiranë, kamufluar me kompaninë Ferizaj-78 shpk, me adresë Njësia Bashkiake Nr.7, Rruga Muhamet Gjollesha, Godina 56. Pika valutore është e Ervis Ferizajt, por figuron në emrin e babait të tij, Enver Ferizajt. Pika valutore e kokës së pastrimit të parave dhe trafikut të drogës Ervis Ferizajt vepron pikërisht nën hijen e Ak-Invest e Suzana Adilit dhe Muharrem Kokonës.

Ndërkaq, hetimet e policisë për vrasjen dhe zhdukjen 34-vjeçarit Eglant Koçi nga shoku i tij Armand Shakajt, i njohur si Dheplra e kuqe, ekspozuan një pikë valutore në Laprakë, e cila përdorej për shkëmbimin e kriptomonedhave, produkt i aktiviteteve kriminale të mashtrimit të qytetarëve evropianë me call centera, përmes skemave të mashtrimit me pasoja të rënda dhe investimit të rremë në bursa. Kjo pikë valutore është derivat dhe vepron nën hyqmin e pikërisjt Ak-Invest. Koçi, i cili u vra në pabesi nga ‘Dhelpra e Kuqe’, operonte në këmbimin dhe lëvizjen e parave të call centerave, çka dyshohet se solli edhe mosmarrëveshjet me Shakajn.