
Erion Veliaj ka përcjellë një mesazh për Asamblenë e Tiranës, përmes një postimi në Facebook, ku ka kritikuar drejtimin aktual të Partisë Socialiste dhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen socialistët që kontribuuan në ndërtimin e organizatës ndër vite.
Në reagimin e tij, Veliaj është kthyer te viti 2015, kur, sipas tij, u ndërtua një organizatë politike e mbështetur te puna, progresi dhe qytetaria e Tiranës. Ai ka theksuar se fitoret elektorale nuk erdhën nga bandat apo grupet kriminale, por nga kontributi i socialistëve dhe qytetarëve.
“Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës”, shkruan Veliaj, duke ngritur më pas pyetjen nëse partia është ende e njëjta organizatë.
Ai ka kritikuar zëvendësimin e figurave dhe aktivistëve që, sipas tij, kanë kontribuuar në betejat elektorale, me drejtues që përfitojnë nga privilegjet e pushtetit.
“Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve”, shprehet ai.
Veliaj ka theksuar se organizata socialiste në Tiranë u ndërtua mbi angazhimin dhe solidaritetin, jo mbi privilegjet, ndërsa ka vënë në kontrast besnikërinë ndaj drejtuesve me atë ndaj parimeve të përbashkëta.
Në fund të mesazhit, duke iu referuar situatës së tij aktuale, ai shkruan se, megjithëse i ka “duart e lidhura”, ruan kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që është ndërtuar ndër vite. Ai u ka bërë thirrje socialistëve të Tiranës të ruajnë qytetarinë dhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, është ngritur organizata në kryeqytet.
“Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!”, përfundon mesazhi i Veliajt, i cili e firmos atë me shprehjen “Socialisti me duar të lidhura”.