
Kushtet atmosferike janë përkeqësuar këtë të shtunë në Qarkun e Dibrës, ku ulja e temperaturave ka sjellë reshje breshëri në zonat malore.
Reshjet kanë përfshirë edhe zonën e Xibrit, pranë tunelit të Murrizit, në një lartësi prej rreth 900 metrash mbi nivelin e detit. Breshëri ka krijuar një shtresë në sipërfaqen e rrugës, duke shtuar rrezikun për automjetet që lëvizin në këtë segment të Rrugës së Arbrit, në drejtim të Tiranës dhe Dibrës.
Drejtuesve të automjeteve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, pasi breshëri në asfalt mund të shkaktojë rrëshqitje dhe aksidente.
Problematike mbetet edhe furnizimi me energji elektrike. Në disa zona të qarkut vijojnë ndërprerjet, ndërsa grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë për abonentët.