Deputetja e PD-së kundërshton shpërndarjen e lehtësimeve tatimore dhe paralajmëron kosto shtesë për biznesin e vogël nga zgjerimi i TVSH-së.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi se paketa fiskale 2027 nuk sjell asnjë lehtësim në tatimin mbi pagat për një familje me dy të ardhura nga 100 mijë lekë bruto secila, ndërsa një i punësuar me pagë 300 mijë lekë bruto përfiton rreth 10 mijë lekë ulje tatimi në muaj.

Tabaku e cilësoi këtë shpërndarje të përfitimeve si zgjedhje politike të qeverisë Rama, duke kundërshtuar pretendimin se paketa mbështet shtresën e mesme. Sipas llogarive që paraqiti, as familjet me dy paga nga 50 mijë lekë bruto nuk përfitojnë nga ndryshimet tatimore.

“Po dy prindërit që punojnë çdo ditë dhe mezi mbulojnë shpenzimet e shtëpisë, ku janë në këtë llogari?”, pyeti ajo.

Deputetja paralajmëroi se barra për familjet që jetojnë nga biznesi i vogël shtohet edhe nga ulja e pragut të regjistrimit në TVSH, nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Duke iu referuar relacionit të qeverisë, ajo tha se rreth 17.500 biznese do të përfshihen në skemë, nga të cilat parashikohen 4,5 miliardë lekë të ardhura shtesë.

Tabaku solli shembullin e një aktiviteti me 6 milionë lekë xhiro vjetore, duke theksuar se kjo shumë nuk është fitimi i familjes: prej saj paguhen furnitorët, qiraja, punonjësit dhe detyrimet. Sipas saj, përfshirja në TVSH shton edhe shpenzimet për kontabilitetin dhe rëndon sipërmarrjet e formalizuara.

Ajo vuri në dyshim edhe efektin e uljes së premtuar të TVSH-së për ushqimet bazë në 6%. Sipas Tabakut, rritja e normës për produktet e tjera në 21%, kostot e transportit dhe përqendrimi i tregjeve rrezikojnë të zbehin përfitimin që pritet të kalojë te konsumatori.

Për pensionistët, deputetja argumentoi se ushqimet dhe faturat bazë konsumojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave. Ajo përdori shembullin e një pensionisti që jeton vetëm në banesën e vet, për të ilustruar sa pak hapësirë mbetet për nevoja të tjera pas shpenzimeve mujore.

Tabaku e lidhi këtë shpërndarje të barrës fiskale me një sistem që, sipas saj, favorizon pakicën dhe kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: