Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë paraqet sot 7 amendamentet e tij ndaj Projektbuxhetit 2027, përmes tri paketave konkrete, “Rinia”, “Made in Albania” dhe “Emergjencat Civile dhe Siguria”, me një mesazh të qartë: Paratë e shqiptarëve për shqiptarët!
Projektbuxheti 2027 i Edi Ramës nuk është asgjë tjetër veçse buxheti i mashtrimit, i vjedhjes, i rënies ekonomike dhe i braktisjes sociale. Një buxhet që u vjedh qytetarëve mundësitë për një jetë më të mirë, u mohon të rinjve perspektivën, e lë prodhimin vendas në mëshirë të konkurrencës së pandershme dhe braktis sektorët jetikë të vendit. Është një buxhet që mbron interesat mafioze dhe klienteliste të Edi Ramës, jo interesat e qytetarëve.
Përballë kësaj politike thellësisht antisociale, anti-rini dhe anti-prodhim, Partia e Lirisë propozon një alternativë konkrete, buxheti duhet t'u shërbejë shqiptarëve, të financojë të ardhmen e tyre dhe jo të ushqejë xhepin dhe klientelën e Edi Ramës.
PAKETA E RINISË
Kjo paketë është përgjigjja jonë konkrete ndaj kërkesave të studentëve, të cilët janë ngritur në protesta të fuqishme kundër mungesës së perspektivës, kushteve dhe mundësive për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Protesta e tyre nuk kërkon propagandë, por ndryshim politikash dhe financim real.
Propozojmë dyfishimin e financimit për mbështetjen e rinisë dhe fëmijëve, nga rreth 750 mijë euro në rreth 1.5 milionë euro, pra një rritje prej rreth 100%, si dhe rritjen me rreth 22.28 milionë euro të financimit për arsimin profesional, duke e çuar atë në rreth 78.69 milionë euro, pra një rritje prej rreth 40%.
Nuk mund të kërkosh që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria, ndërkohë që nuk investon te arsimimi, formimi profesional dhe punësimi i tyre. Të rinjtë nuk kanë nevojë për fjalime dhe premtime, por për mundësi konkrete. Dhe alternativa që propozon Partia e Lirisë është një alternativë që ndal dhe frenon edhe dramën e madhe të shpopullimit.
PAKETA “MADE IN ALBANIA”
Kjo paketë synon të përmbysë modelin ekonomik që favorizon importet dhe interesat e një pakice, në kurriz të fermerëve, prodhuesve dhe konsumatorëve shqiptarë. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke importuar gjithnjë e më shumë dhe duke dobësuar prodhimin vendas.
Propozojmë rritjen e financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural në rreth 167.08 milionë euro, nga rreth 93.92 milionë euro të planifikuara, duke shtuar rreth 73.16 milionë euro për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtorisë dhe agroindustrisë, pra një rritje prej rreth 78%.
Propozojmë gjithashtu rreth 5.6 milionë euro për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit, për të forcuar mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet dhe praktikat e padrejta në treg.
Një tjetër masë është mosndryshimi i pragut të aplikimit të TVSH-së gjatë vitit 2027, për të mos rënduar më tej biznesin e vogël dhe për të mos goditur aktivitetin ekonomik.
Fermerët kanë nevojë për mbështetje, prodhuesit për politika që i mbrojnë dhe konsumatorët për institucione që nuk i braktisin përballë abuzimeve. Ky është kuptimi i “Made in Albania”.
PAKETA E EMERGJENCAVE CIVILE DHE SIGURISË
Kjo paketë synon t'u japë fund politikave të braktisjes dhe nënvlerësimit të punonjësve që çdo ditë përballen me rreziqe reale për të garantuar sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Propozojmë rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Policisë së Burgjeve, duke përfshirë në të njëjtën masë edhe pagesat për orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.
Po kështu, propozojmë rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Emergjencave Civile, duke përfshirë edhe orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.
Nuk mund të kërkosh sakrificë, përgjegjësi dhe gatishmëri të përditshme nga këta punonjës, ndërkohë që i lë të përballen me rreziqet, ngarkesën dhe kushtet e vështira pa trajtimin financiar që meritojnë. Siguria e qytetarëve nuk garantohet me deklarata, por me punonjës të vlerësuar dhe të mbështetur.
Këto tri paketa dhe shtatë amendamente përfaqësojnë një alternativë konkrete ndaj Projektbuxhetit 2027.
Më shumë investime te rinia dhe arsimi, më shumë mbështetje për prodhimin vendas, mbrojtje për konsumatorët dhe dinjitet për punonjësit që garantojnë sigurinë e qytetarëve.
Ky është dallimi thelbësor mes dy alternativave. Edi Rama harton buxhete për të vjedhur dhe për të mbajtur në këmbë narkodikaturën, duke ushqyer xhepin dhe klientelën e tij, ndërsa Partia e Lirisë propozon një buxhet që u shërben qytetarëve, rinisë dhe ekonomisë kombëtare.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë peng i një modeli narko-ekonomik që prodhon varfëri, shpopullim dhe pasurim të oligarkisë.
Paratë e shqiptarëve duhet të kthehen te shqiptarët! Shqipëria ka nevojë për një buxhet zhvillimi, jo për një buxhet grabitjeje!
© SYRI.net