Spiropali dhe Ndreca jashtë PS/ Rama nuk i përmend me emër, por konfirmon se janë përjashtuar

11:49, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga PS.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS për Tiranën, Rama iu referua dy figurave socialiste si “të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.

Të shtunën e kaluar Rama propozoi largimin e Spiropalit dhe Ndrecës, por Asambleja Socialiste nuk votoi për përjashtimin e tyre, ndërsa gjatë mbledhjes në Gjirin e Lalzit pati edhe replika mes tij dhe Spiropalit.

Në mbështetje të Spiropalit dolën Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan përjashtimin e saj nga forumet drejtuese socialiste.

“Si mund të largohet nga puna një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera dhe të tjerë drejtues dhe punonjës në Tiranë pse nuk u bëjnë ‘like’ dhe ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i drejtohet Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga dy të përjashtuarit nga kjo parti,” tha Rama.

“Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat e familjes sonë politike, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, deklaroi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco