
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, u shpreh se kryebashkiaku Erion Veliaj po mban, sipas tij, një qëndrim të gabuar ndaj kryeministrit dhe Partisë Socialiste.
Rama tha se nuk dëshiron ta gjykojë Veliajn për deklaratat dhe veprimet e tij, por paralajmëroi se do të ketë reagim politik ndaj kujtdo në Bashkinë e Tiranës që zbaton masa kundër punonjësve të institucionit.
“Unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë bën, por vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, në raport me mua dhe PS. Por do e gjykojmë me ashpërsi politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do e zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të Bashkisë, qofshin shërbëtorë politikë si Elona Lalaj apo qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se mungesa e kryebashkiakut përbën një problem me disa dimensione, për të cilin, sipas tij, do të gjendet zgjidhje më 9 maj.
“Mungesa e kryebashkiakut është problem shumëplanësh dhe ne do e zgjidhim më 9 maj. Me fitoren e Tiranës”, u shpreh Rama.