Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga masat e parashikuara në buxhetin e ri, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë. Në fokus të deklaratave të tij ishin mbështetja për pensionistët, skema e re e përfitimeve për foshnjat dhe njohja e kontributeve shoqërore për prindërit që kujdesen për fëmijët me aftësi ndryshe.
Rama bëri të ditur se nga 1 janari do të ketë rritje të bonusit të fundvitit për pensionistët, ndërsa masa e rritjes do të jetë dyfishi i asaj të vitit të kaluar. Sipas tij, indeksimi i pensioneve do të kryhet në muajin prill.
Kreu i qeverisë theksoi se mbështetja për pensionistët do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, duke paralajmëruar se rritja do të dyfishohet sërish në vitin pasardhës dhe në vitin e fundit të mandatit.
“Ne nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne, falë rritjes ekonomike, mund t’ua bëjmë pak më të lehta dhe çdo vit më të lehta vitet që kanë përpara”, u shpreh Rama.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte ndryshimi i skemës së mbështetjes për foshnjat. Sipas kryeministrit, ndihma nuk do të kufizohet më vetëm në një përfitim në momentin e lindjes, por do të jepet çdo muaj për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare.
“Ka ndryshuar edhe skema e bebeve. Jo më me një dorë të zgjatur dhe një urim për ditën e lindjes, por me një ndihmë çdo muaj për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare”, deklaroi ai.
Rama u ndal edhe te njohja e sigurimeve shoqërore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi ndryshe, duke vënë në dukje vështirësitë me të cilat përballen veçanërisht nënat që nuk mund të punësohen për shkak të përkujdesjes së vazhdueshme ndaj fëmijëve të tyre.
Ai theksoi se këta prindër nuk duhet të mbeten pa pension dhe pa mbulim shëndetësor për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë vetë kontributet.
“Ju nuk jeni vetëm, ne ju shohim. Ju nuk mund të mbeteni pa pension dhe pa kujdes mjekësor sepse nuk paguani kontribute. Ne do t’i paguajmë për ju”, u shpreh kryeministri, duke iu drejtuar nënave dhe prindërve që kujdesen për fëmijët me aftësi ndryshe.


