Elton Qyno Syri.net/
Arrestimi për gjobëvënie i Fetah Matajt, bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, nuk është precedenti i parë që ai ka me Drejtësinë Shqiptare.
Teksa çështja kundër Fetahut dhe gruas së tij, Elisabetës, dhe 3 zyrtarëve të tjerë të Postës së Durrësit, tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme si pjesëmarrës në një grup kriminal me deputeten e PS, Etleva Budini, mësohet se në vitin 2011 Fetahu ka pasur një eksperiencë penale për gjobëvënie në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se i hetuari Fetah Mataj, përveç gjobës mujore prej 1 milion lekësh të vjetra që u ka vendosur punonjësve të filialeve të postave në qarkun e Durrësit, rezulton se në 2011 i ka vendosur gjobë përmes shtrëngimit dhe kanosjes edhe shtetasit Asllan Dragoj, i cili është nipi i një gazetari të njohur.
Për këtë rast, në muajin qershor 2011, gjatë një hetimi të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është organizuar një operacion policor, duke çuar në arrestimin e Fetah Matajt për akuzën e "Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë".
Në atë kohë, Fetah Mataj ishte denoncuar nga Asllan Dragoj, i cili kishte paraqitur denoncim te Krimet e Rënda, ku ka dhënë shpjegime të qarta mbi mënyrat dhe format e kërcënimeve që përdorte Fetah Mataj, duke pasur si qëllim marrjen e shumave të parave prej tij.
Pas arrestimit nga policia, Gjykata e Krimeve të Rënda, më 17 qershor 2011, vendosi të caktojë masën e "Arrestit në burg" për Fetah Mataj, ndërsa arrestimin e tij në mesnatën e 15 qershorit e cilësoi si të paligjshëm.
Më tej, rezulton se Fetah Mataj e ka apeluar vendimin e gjykatës në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, ku përmes ndërhyrjeve të V.D., një funksionari të lartë të PS në Durrës, Apeli, në datën 8 korrik 2011, vendosi t'i heqë masën e sigurisë Fetah Matajt, duke e liruar nga qelia.
Por kjo nuk është çështja e vetme, pasi Fetah Mataj në vitin 2008 është proceduar dhe arrestuar për akuzën e "Kanosjes" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit".
Ndërsa, siç mësohet, Fetah Mataj është hetuar dhe arrestuar nga Prokuroria e Gjirokastrës për akuzën e "Grabitjes me armë" të emigrantëve në zonën kufitare të Gjirokastrës.
Aktualisht, Fetah Mataj është nën hetim nga SPAK për akuzën e vjedhjes së parave nga Posta Shqiptare në Durrës dhe shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie, kryer në bashkëpunim.
Pasi së bashku me bashkëshorten e tij, Elisabeta Mataj, kanë detyruar punonjëset e Postës së Durrësit, përmes presionit dhe shantazhit, që t'u paguajnë çdo muaj në formën e gjobës një shumë prej 1 milion lekësh të vjetra.
Me 4 emra nën hetim nga Durrësi, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Fetah Mataj, të cilët i janë kaluar SPAK-ut, akuza dyshon se skema në formën e grupit kriminal është zbatuar për një kohë më të gjatë sesa episodet e identifikuara në fillim të çështjes, me një vlerë prej 700 mijë eurosh.
Kjo shifër ka dalë në hapat e parë të nisjes së çështjes, pasi nga një audit i dytë financiar rezultoi se vjedhja shkon në 3 miliardë e 600 milionë lekë të vjetra.
Në hetim tashmë për këtë çështje është vendosur edhe deputetja e PS në Durrës, Etleva Budini, e cila, para se të merrte mandatin, ka drejtuar Postën Shqiptare në Durrës.
© SYRI.net
Dosje voluminoze me 6 akuza. Ja emrat që janë vënë nën 'lupën' e SPAK për çështjen 'Spiropali'
‘Unë jam Zoti’/ Bosi shqiptar i drogës Elvis Demçe tenton vetëvrasjen në burg, ishte nën regjimin 41-bis
4 ton kokainë në muaj/ Bosi shqiptar e organizon trafikun nga qelia në Shqipëri, paguan 10 mijë euro për të jetuar si mbret