Kallëzimi ndaj Spiropalit, Berisha: Akuzat i kam bërë dy vite më parë, SPAK po përdoret si armë politike

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas regjistrimit nga SPAK të një procedimi penal ndaj Elisa Spiropalit dhe bashkëshortit të saj, Salarjon Totajt .
Berisha deklaroi se akuzat ndaj Spiropalit i kishte bërë që dy vite më parë në Parlament, duke pretenduar se kishte paraqitur edhe fakte dhe dokumente në mbështetje të tyre.
Sipas tij, regjistrimi i procedimit penal në këtë moment lidhet me qëndrimet e fundit të Spiropalit ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Akuzat për Elisa Spiropalin i kam paraqitur unë dy vite më parë në parlament, me fakte dhe dokumente. Por regjistrimi i veprave penale, i problemeve të saj dhe bashkëshortit të saj, në një kohë kur ajo ka marrë, të themi një rrugë kundërshtie, të paktën me fjalë, të qëndrimeve të Edi Ramës dhe partisë së krimit, dëshmon për përdorimin si armë politike të SPAK-ut të partisë.”, tha Berisha.




