Aktualitet

Kanabisi, studimi i ri: Probleme mendore, sidomos te gratë dhe të rinjtë!

Një studim i ri amerikan ngre shqetësime për lidhjen mes përdorimit problematik të kanabisit dhe shëndetit mendor, veçanërisht te gratë dhe të rinjtë. Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Journal of Studies on Alcohol and Drugs, analizoi të dhënat e mbi 415 mijë amerikanëve.

Studiuesit zbuluan se personat që përdornin kanabis, kishin 57 për qind gjasa më të larta për të raportuar mendime vetëvrasëse, krahasuar me individët që nuk vuanin nga ky çrregullim. Lidhja mbeti e pranishme edhe pas marrjes në konsideratë të depresionit, shqetësimeve psikologjike dhe faktorëve të tjerë.

Gjetjet vijnë pas një tjetër analize të rëndësishme shkencore, të publikuar në muajin tetor, e cila shqyrtoi 19 hulumtime me afro shtatë milionë pjesëmarrës. Sipas saj, përdorimi i kanabisit shoqërohej me një rrezik relativ rreth 2.5 herë më të lartë për diagnostikim të mëvonshëm me çrregullim bipolar dhe rreth dy herë më të lartë për shfaqjen e simptomave maniake ose hipomaniake.

Këto simptoma mund të përfshijnë energji të pazakontë, irritim të theksuar, impulsivitet, ndryshim të befasishëm të humorit, dhe ulje të nevojës për gjumë. Ekspertët këmbëngulin t`i kushtohet më shumë vëmendje shëndetit mendor të personave që zhvillojnë varësi ose përdorim problematik të kanabisit, veçanërisht në një kohë kur kjo substancë po bëhet gjithnjë e më e aksesueshme në shumë vende të botës.