Prokuroria e Beratit ka vendosur sekuestro preventive mbi 14 pasuri në pronësi të Donald Lavdarit dhe familjarëve të tij, pasi dyshohet se janë krijuar me të ardhura që burojnë nga aktiviteti kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve të organit të akuzës, Lavdari është përfshirë në aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në Greqi dhe Spanjë, ku është hetuar dhe dënuar nga autoritetet e drejtësisë së këtyre vendeve për trafik droge.
Prokuroria dyshon se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale janë investuar në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Poliçanit, ku ai dhe familjarët e tij kanë blerë dyqane, apartamente dhe automjete të markave të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet rezulton se Lavdari disponon edhe aktivitete private në fushën e tregtisë ushqimore, bareve, kafeneve dhe shërbimit fast food.
Në kuadër të hetimit pasuror, që lidhet me procedimin penal nr. 963 të vitit 2018, është kryer edhe një analizë financiare për periudhën 2005-2016. Nga kjo analizë ka rezultuar se të ardhurat dhe burimet financiare të dokumentuara të Lavdarit dhe familjarëve të tij nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar shpenzimet dhe përdorimet financiare të evidentuara.
Në njoftimin e saj, Prokuroria bën me dije se shtetasi D.L. ndodhet në Spanjë që prej vitit 2017, ku sipas informacioneve të administruara rezulton i ndaluar nga autoritetet spanjolle për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Pasuritë e sekuestruara
Me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, janë vendosur në sekuestro 14 pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të shtetasit D.L. dhe personave të lidhur me të.
Lista përfshin disa prona të regjistruara në Zonën Kadastrale 3019, mes tyre dyqane dhe apartamente, si dhe një sipërfaqe prej 48 m² në Skrapar dhe një apartament me sipërfaqe 66 m², po në këtë zonë.
Në listën e pasurive të sekuestruara janë përfshirë edhe dy automjete të markës Mercedes-Benz, njëri prej të cilëve modeli E270 CDI.
Sipas Prokurorisë, sekuestrimi është kërkuar në kuadër të hetimeve për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.


