Mesazhi për Veliajn dhe porositë për drejtuesit e tjerë të PS. Fjalimi i plotë i Edi Ramës në Asamblenë për Tiranën

21 Nëntor 2026 | 14:06

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta për Erion Veliajn dhe paralajmërime për drejtuesit e tjerë socialistë gjatë Asamblesë së PS-së në Tiranë. Rama ka kritikuar mënyrën e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, ka kërkuar përgjegjshmëri nga funksionarët socialistë dhe ka prezantuar prioritetet e organizimit të ri të partisë për zgjedhjet e 9 majit.

Fjala e plotë e Ramës në Asamblenë për Tiranën

Mirëmëngjes të gjithëve! Sot, nisim organizimin e ri të Partisë Socialiste për Tiranën. Ky organizim duhet të jetë gjithëpërfshirës; partiak, në kuptimin e angazhimit të posaçëm të çdo anëtari të kësaj familjeje politike; qytetar, në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese dhe grupi interesi komunitar në kuptimin e lidhjes proaktive me çdo bashkësi qytetare që është vetëkrijuar nga prejardhja krahinore, besimi fetar apo qëllimet sociale.

Ky organizim do ta marrë forcën e vetë tek arritjet e mëdha të Partisë Socialiste për Shqipërinë dhe për shqiptarët, pasqyra kuptimplotë e të cilave është buxheti 2027.

Por, njëkohësisht në forcë bindëse do duhet t’i kthejmë edhe defiçitet që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re. 

Nga njëra anë, me paraburgimin thuajse dyvjeçar të kryetarit të zgjedhur nga populli i kryeqytetit dhe nga ana tjetër me vendimin absurd të Gjykatës Kushtetuese për ta lënë atë në detyrë edhe pse në mungesë, domethënë në pamundësi të plotë të ushtrimit të detyrës. 

Ky absurditet antidemokratik i prodhuar nga një zhbalancim i hapur i drejtësisë, e cila faktikisht e la thuajse dy vjet kryeqytetin e Shqipërisë me kokë të prerë, është i pashoq në historinë e Europës Demokratike, por as nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim, as nuk është në dorën tonë ta zhbëjmë. Pavarësisht se haraçin e kripur dhe krejt të pamerituar të këtij absurditeti e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. 

Në dorën tonë është t’u tregojmë atyre jashtë këtyre mureve, qytetarëve pra, se si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këta dy vjet.

Si do ta mbyllim plagën ende të hapur të rindërtimit në kombinat dhe gjetkë.

Si do ta rrisim volumin e apartamenteve sociale dhe si do ta krijojmë falë reformës së sapomiratuar në parlament të strehimit, shtresën e re zhvillimore të strehimit të përballueshëm. Si do ta adresojmë nevojën për ende më shumë shkolla dhe qendra shëndetësore në një Tiranë që rritet dhe që zgjerohet pa pushim, po sidomos për kopështe dhe për çerdhe të reja, të cilat janë kusht për mbarëvajtjen e punës së prindërve në familjet e reja. 

Si do ta zgjerojmë ofertën turistike të Tiranës me rrjetin e ri të muzeve në shtëpitë monument kulture, pasi i kemi shpëtuar nga shembja përmes shpronësimeve të  Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Po sistemin e administrimit të ujit dhe mbetjeve, si do t’i çojmë në një nivel tjetër, duke u nisur nga Tirana dhe pastaj në krejt Shqipërinë, përmes partneritetit të ri strategjik që po ndërton qeveria e Shqipërisë me operatorë të mëdhenj europianë, pa harruar taksat dhe tarifat vendore për të cilat Partia Socialiste duhet të ketë një kontratë unike, të qartë dhe detyruese për të gjithë kandidatët e saj në rang kombëtar.

Sepse për shembull dhe ka fatkeqësisht shumë shembuj, nuk bën më sens që qeveria ta ketë zero taksën për biznesin e vogël, kurse bashkitë ta ngarkojnë biznesin e vogël me lloj-soj tarifash, për lloj-soj arsyesh. Tirana është një sintezë e Shqipërisë ku dhe kërkesa është e një niveli tjetër edhe oferta duhet të jetë e një niveli tjetër. Prandaj në këtë kontekst, ku ne e nisim sot organizimin e ri, mbajeni mirë parasysh faktin se në Tiranën që e kemi fituar gjashtë herë në shtatë, ne 26 vitet e fundit kemi qenë një ofertë që ka qenë gjithnjë e një niveli tjetër, por mbajeni edhe më mirë parasysh këtë herë se atë herë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, po na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë, e bindur se e ka fitoren në xhep.

Nuk besoj se ne rrezikohemi sot nga ajo lloj mendjelehtësie dhe nuk dua të përsëris këtu gjatë çfarë thashë në Asamblenë Kombëtare për fenomenin e “të ëmës së Zeqos në majë të thanës”.

Por dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si “e ëma e Zeqos në majë të thanes” me detyrat ndaj familjes sonë politike dhe me borxhet që u kemi atyre që na dha na kanë besuar drejtimin e Tiranës dhe të Shqipërisë, nuk do ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku absolutisht të gjithë janë të nevojshëm, por ku absolutisht askush nuk është i domosdoshëm. Një njeriu që nuk është i lirë, i falet t’i lexojë gabim situatat, t’i gjykojë gabim gjërat, të fantazojë duke folur gabim dhe të porosisë gabimisht punë të gabuara. Por askujt që ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik apo që ka detyrën ta vendosë veten në shërbim të të tjerëve nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe lëre pastaj të zbatojë porosi që e bëjnë bashkëfajtor ndaj të tjerëve.

Kështu që, çdo drejtuesi të çdo hallke të zinxhirit të drejtimit të bashkisë së Tiranës që është dhe anëtar i kësaj familje politike, natyrisht nuk flas për të tjerë, i them sot se goditja e njerëzve në krye të detyrës me porosi nga lart për motive krejt të pajustifikueshme as nuk do të harrohet, as nuk do të falet.

Ne jemi partia që e kemi çliruar shtetin shqiptar nga makthi i keqtrajtimeve apo largimeve politike nga puna duke shpëtuar nderin dhe dinjitetin e mijëra e mijëra mësuesve, infermierëve, policëve, nëpunësve, që përpara se sa ne ta bënim këtë çlirim, ishin mish për topat e partisë në pushtet, kurse prej vitesh tanimë nuk u kërkon askush llogari për kë votojmë dhe jo më t’i largojë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë sonë. Po si mund largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë, drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?

Ky i fundit i adresohet shkresërisht bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe ndaj kësaj familjeje si  “ e ëma e Zeqos në majë të thanës’’.

E përsëris, unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, por vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Po ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin ‘’shërbëtorë’’ publikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në rradhët e mijëra e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës. E dimë të gjithë që mugnesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve të qeverisë vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës.

Dhe ne do ta fitojmë përsëri Tiranën sepse pavarësisht dhe përtej të metave, dobësive, gabimeve apo edhe fajeve tona, në gjatësinë e të një përpjete të vështirë sa 13 vjet përpjekje të mundimshme, PS nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative në një hapësirë politike ku alternativat e tjera janë, jo vetëm shumë më të dobëta, por janë seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit, pasi pas çdonëjrës prej tyre vjen kaosi, vjen konfuzioni, vjen paqëndrueshmëria që e kërcënon sot Shqipërinë, si një hije që tanimë është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë.

Jo vetëm për kaq. PS është partia që do ta fitojë Tiranën dhe Shqiprinë sepse është thjesht rruga e vetme nga kalon amaneti kombëtar i bashkimit me Europën, fuqizimi ekonomik, shoqëror dhe diplomatik i Shqipërisë, në këtë kohë kaq të ndërlikuar për botën dhe për vetë Evropën ku edhe Shqipëria jonë e vogël, pikërisht se është bërë shumë e madhe në perceptimin e të tjerëve, është bërë dhe arenë e luftës hibride kundër BE, kundër përparimit tonë kombëtar dhe kundër reputacionit tonë të rritur ndërkombëtar.

Po pse kalon nga kjo parti, rruga e fuqizimit ekonomik të Shqipërisë? 

Këtë e tregon më së miri pasqyra e buxhetit të vitit 2027. Ai buxhet nuk ra nga qielli. Atë buxhet nuk e prodhuan as dëshirat tona që i kemi pasur të mëdha, qysh në krye të herës, por që nuk kemi pasur mundësinë t’i kthejmë në buxhete sepse nuk na e ka lejuar ekonomia e tkurrur, por e ka bërë pikërisht ekonomia shqiptare, që është më e fortë dhe që na jep mundësinë që të rishpërndajmë më shumë dhe të rishpërndajmë më shumë sepse kemi arritur të jemi të suksesshëm ekonomikisht.

Dëshirën për t’u dhënë njerëzve më shumë, e kanë të gjithë ata që merren me politikë, apo është një dëshirë e natyrshme e kujtdo që ka humanizëm brenda vetes. Por, kush premton gjithçka  sepse nuk do të thirret kurrë në llogaridhënie për të mbajtur premtimet, e ka kollaj ndërsa kush krijon mundësinë për t’u dhënë njerëzve më shumë, e ka të vështirë.

Për herë të parë në historinë e këtij shteti, ne kapërcejmë pragun e 10 miliardë eurove në pasqyrën e buxhetit, falë një ekonomie që rritet në mënyrë të qëndrueshme, gjë që e nënvizojnë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare; gjë që e thotë shprehimisht në Raportin e fundit të Progresit Bashkimi Evropian, i cili flet me konsiderata shumë të larta për ekonominë e vendit.

Por, arritjet tona nuk janë medalje për gjoksin e qeverisë, sepse për një familje që numëron lekët në fund të muajit, rëndësi ka jo sa e madhe është ekonomia në grafikët e statistikave tona, po sa e shtrenjtë është shporta në dyanin e lagjes.

Prandaj, është një arritje kuptimplotë e gjithë kësaj përpjekjeje të gjatë, fakti që në buxhetin 2027, 54 produkte të shportës; buka, qumështi, vezët, mishi, vezët, frutat, perimet, ushqimi i foshnjave dhe me radhë, do të kenë TVSH-në të ulur në 6%.

Kjo është ekonomia që rritet edhe për qytetarin, edhe për atë që nuk e ka të lehtë të mbajë presionin e shtrenjtimit të produkteve të shportës.

Kjo është ekonomia që rritet siç rritet buka në një shtëpi dhe ekonomia që njerëzit nuk do ta shohin më të rritet në fjalët tona, apo vetëm për ata që fitojnë më shumë, por do ta shohin të rritet edhe në shenjat dhe shprehjet konkrete të solidaritetit tonë me ta, si Parti Socialiste e Shqipërisë.

Dhe këtu vijmë tek rritja e shoqërisë dhe pse nga kjo parti, kalon rruga e vetme, rruga e vetme e fuqizimit shoqëror të Shqipërisë sepse çfarë vlere do të kishte ende sot rritja e ekonomisë nëse një çift i ri nuk gjen dot rrugë për të pasur një shtëpi të vetën; nëse një nënë e vetme mbetet po vetëm përballë kostos së rritjes së fëmijëve; nëse një pensionist sheh me dashamirësi përpjekjet tona, voton me zemër për Partinë Socialiste dhe vazhdon të mos shohë se si e gjithë kjo rritje ekonomike nuk përkthehet edhe tek pensioni i tij.

Nëse një familje me një fëmijë me aftësi të kufizuar e mban e vetme mbi shpinë të gjithë peshën e përkujdesjes, ndërkohë që ekonomia rritet, buxheti rritet dhe mundësitë rriten. Nuk është e mundur!

E pikërisht prandaj buxheti i 2027 është një buxhet historik, sepse të gjitha këtyre pyetjeve fillon t’u japë një përgjigje pranuese dhe pozitive.

Ne i kemi ditur qysh në krye të herës së pensionistëve u kemi një një borxh që nuk e shlyejm dot në të gjallët tonë, jo thjesht borxhin e pensionit, po borxhin moral ndaj një gjenerate që e mbajti mbi shpinë Shqipërinë në trupin me kockat e varfërisë së vet, duke punuar pafund dhe duke marrë thuajse asgjë mbrapsht nga puna. Ne nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne falë rritjes së ekonomisë mund t’jua bëjmë pak me të lehta dhe çdo vit edhe pak më të lehta vitet që ata kanë përpara.

Ja pse nga 1 janari, e thotë tanimë buxheti që është në Parlament përsëri bonusi i tyre i fund muajit do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Askush të mos mendojë nga pensionistët që më ndjekin se unë mendoj se këto mjaftojnë. Jo, por pa diskutim që ka një ndryshim midis një pensioni që nuk rritet dhe një pensioni që rritet çdo vit dhe kjo nuk është pika e mbërritjes. Ky është vetëm një stacion i një rruge ku vitin e ardhshëm, pas këtij që po vjen, përsëri do të dyfishohet rritja dhe vitin e fundit të këtij mandati përsëri do të dyfishohet rritja e një viti më parë.

Pikërisht pse ekonomia ne na jep mundësinë, ka ndryshuar dhe skema e bonusit të bebeve si filozofi mbështetjeje në radhë të parë. Ju më një dorë e zgjatur me një urim vetëm në ditën e lindjes, por një ndihmë çdo muaj për fëmijët e porsalindur deri në moshën pesë vjeç. Sepse ne duam t’i rrimë pranë familjes pikërisht në këto vite kur një gëzim i madh vjen në shtëpinë e tyre, por bashkë me një barrë të posaçme dhe ambicia jonë është të shkojmë përtej kësaj, të vazhdojmë ta rrisim ekonominë, që të vazhdojmë ta shtrijmë në vite mbështetjen për fëmijët që lindin dhe rriten në këtë vend dhe jo vetëm ta shtrijmë në vite, por dhe ta rrisim çdo muaj.

Dyfishimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe njohja e sigurimeve për kujdestarët e tyre është më shumë sesa një zë buxheti. Është një tjetër shenjë kuptimplotë në drejtimin e duhur për ata që larg syve të botës, brenda mureve të një shtëpie, qëndrojnë të mbyllur, nëna që e kanë të pamundur të shkojnë në punë,  sepse bëjnë një punë tjetër pa orar, pa pushim javor, pa luksin për të thënë u lodhëm, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije të mrekullueshëm, por që nuk është si gjithë të tjerët dhe që ka nevojë për kujdesjen mbi kokë orë e çast. Me buxhetin 2027, ne u themi të gjithë atyre nënave, të gjithë atyre prindërve që ne ju shohim. Ju nuk jeni vetëm dhe jo vetëm kaq, por ju nuk mund të mbeteni pa një pension pse për shkak se qëndroni në shtëpi nuk paguani dot sigurime shoqërore dhe ju nuk mund të mbeteni pa një kujdes mjekësor për shkak se nuk paguani dot sigurime shëndetësore. Këto do t’i mbulojmë ne për ju dhe mbi të gjitha, ne jemi rruga e vetme për fuqizimin shoqëror të Shqipërisë, sepse ne jemi të vetmit që jo vetëm e dimë siç e dinë të gjithë, por dhe e dimë se si do të adresojmë çështjen e mprehtë që ka krijuar zhvillimi dhe rritja e shpejtë. Koston e rritur të strehimit. Sepse në një vend si Shqipëria që është zhvilluar në këto 10 vitet e fundit me një shpejtësi të madhe duke shkuar shumë përpara po duke lënë jo pak njerëz shumë mbrapa, strehimi nuk është më vetëm halli i familjes së varfër që s’ka ku të fus kokën. Strehimi është halli i mësueses. Strehimi është halli i infermierëve. Strehimi është halli i punonjësit të policisë. Strehimi është halli i ushtarakut. Strehimi është halli i një të riu apo një të reje që shërben në administratën publike të shtetit, por që e ka të pamundur ta imagjinojë blerjen e një shtëpie të re. Strehimi është halli i dy rinjve që dashurohen dhe martohen, që punojnë dhe paguajnë çdo detyrim, por nuk mund dot të kenë apartamentin e tyre. Pra, strehimi sot nuk është vetëm një nevojë për më të varfërit, por është një nevojë për një shtresë të re, të mesme që nuk e përballon dot rritjen e çmimeve të apartamenteve. Kështu që, pikërisht për këta, me ligjin e ri që Parlamenti miratoi, ne do të adresojmë në Shqipërinë tonë diçka që deri dje ishte jashtë planeve të vendit dhe gjithçka që është problemi i vendeve më të zhvilluara.

Do të adresojmë nevojën për strehimin e përballueshëm duke krijuar një shtresë të re në mes, midis strehimit të tregut të lirë dhe strehimit social, shtresën e strehimit të përballueshëm. Kredi pa interes për shtëpinë e parë, garanci të shtetit për atë që nuk i ka kursimet e kolateralit, mbështetje deri në gjysmën e qerasë, lagje ku banesa sociale, banesa e përballueshme dhe banesa e tregut ngrihen krah për krah me shkollën dhe me kopshtin pranë, janë të gjitha pjesë të këtij projekti.

Në ndërkohë konkretisht me buxhetin e ri dhe me sistemin e ri të adresimit të çështjes së strehimit nga ligji i sapo miratuar, 10 mijë të parët, familje të reja do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke filluar nga viti i ardhshëm. Ne kemi ambicien që deri në 2030-n, e kemi të shkruar në programin tonë të 2025-s, të dorëzojmë 55 mijë çelësa sipas të gjitha këtyre kategorive ku shteti u gjendet pranë të gjithë atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre.

Një qytet që ndërton gjithnjë e më shumë si Tirana, po ku gjithnjë e më pak të rinj kanë mundësi ta shikojnë një shtëpi e të mendojnë se mund ta kenë, kanë një problem që nuk zgjidhet duke ndërtuar edhe më shumë, por duke e parë rritjen e Tiranës si një burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme dhe këtu kam një pikë që dua ta ndaj me të gjithë ata që konfuzohen, çoroditen apo bien pre e asaj propagandës skandaloze që e keqja po vjen nga kullat. Ne nuk kemi faktikisht ende ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të fillojmë të mendojmë për ndonjë pasojë, por në ato pak kulla të ndërtuara në Tiranë, po të bësh llogarinë, të ardhurat ne buxhetin e bashkisë, janë domethënëse. Dhe ndërkohë, të gjithë kur shohin një kullë apo kur shohin një pallat të ri që ndërtohet, duhet ta dinë se aty  janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo një pallat. Ndërkohë që janë dhe 8% taksë për qytetin. Nëse buxhetit të Bashkisë së Tiranës i heq taksat dhe kontributet për strehimin social nga ndërtimi, buxheti  i Bashkisë bëhet praktikisht një buxhet që nuk përballon dot shumë nga nevojat që ka qyteti për shërbime e kështu me radhë.

Dhe tjetra që është e rëndësishme, të mos e  harrojmë dhe të mos e harrojë askush, është pse kalon nga kjo parti rruga e vetme e fuqizimit diplomatik të Shqipërisë. Sepse dikur Shqipëria dhe jo dikur para 100 vjetësh, po edhe ne vitet e para kur unë e përfaqësoja Shqipërinë së bashku me ministrat e tjerë ishte një vend që lutej për tu dëgjuar dhe që ndahej nga tryezat me ndjesinë e një shpërfilljeje ofenduese.

Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte e të shpjegonte pse ishte akoma aq larg Evropës. Dikur Shqipëria ulej formalisht nëpër tryeza po zërin e saj e dëgjonin si zërin e një mize ne qyp.

Sot Shqipëria negocion kushtet për tu bërë pjesë e BE, pasi ka hapur të gjithë kapitujt, ka filluar mbylljen e disa kapitujve dhe ka objektivin shumë ambicioz të dakordësuar me Komisionin Evropian që t’i mbyllë të tërë kapitujt në fund të vitit të ardhshëm dhe që të garantojë hapjen e rrugës së anëtarësimit brenda këtij mandati, që nuk është një mandat i dokujtdo, po është mandati i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Prandaj nga kjo parti kalon edhe rruga e vetme e Tiranës së të nesërmes. Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE. E dinë të gjithë, edhe ata që bëjnë sikur s’e dinë, por ne duhet t’ua tregojmë atyre që për arsye se kanë qenë ende shumë të rinj, mund të mos e dinë, se nga çfarë humnere, ne e nxorëm Tiranën në një epokë të gjatë mungesash të kudondodhura për çdo gjë.

Por pikërisht pse kemi bërë kaq shumë, ne duhet të jemi shumë më pak tolerantë ndaj gjithçkaje që nuk e bëjmë mirë apo që vazhdon të mungojë sepse koha kur mjaftoje të tregoje se sa ndryshe është Tirana nga ajo që ishte, ka ikur; koha kur mjaftonte të tregoje sa ndryshe është Shqipëria  sot nga ajo që ishte, ka ikur.

Sot qytetarët e krahasojnë Tiranën jo më me atë që ishte, po me qytetet e Evropës. Dhe kjo është fitorja jonë më e madhe sepse jemi ne që e kemi sjellë Tiranën në këtë pikë por është edhe sfida jonë më e madhe sepse jemi ne që ia kemi ndryshuar njerëzve horizontin e pritshmërive nga Tirana dhe Shqipëria dhe tani njerëzit nuk na presin dot ne po jemi ne që duhet të vrapojmë me shpejtësinë e pritshmërive të tyre.  Sepse sot qytetari i Tiranës nuk jeton më dot me fotografitë e arritjeve tona po jeton me rrugën ku del në mëngjes, me autobusin që pret, me çerdhen që e ka larg për fëmijën apo nuk e ka fare, me trotuarin ku ecën dhe që jo gjithmonë e ka të lirë, me pallati ku banon poshtë të cilit shpesh nuk ka hapësirë komunitare dhe kështu me radhë. Pra, e thënë ndryshe, ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet orë e çast, cilësi më e mirë jete dhe ne duhet t’ua bëjmë të dukshme njerëzve, të imagjinueshme pa vështirësi, Tiranën ku një çift i ri gjen shtëpi; Tiranën ku një familje e re gjen çerdhen; Tiranën ku një i moshuar ecën në trotuar i papenguar; Tiranën ku çdo familje në Kombinat dhe kudo qoftë tjetër që pret të kthehet në shtëpi pas tërmetit, ka çelësat në dorë; Tiranën ku uji 24 orë nuk është vetëm në një pjesë të konsiderueshme të saj po është në çdo cep të saj; Tiranën ku mbetjet, mbledhja e tyre, riciklimi i tyre nuk janë hall i përditshëm në shumë zona; Tiranën ku transporti urban nuk është një tjetër dhembje koke. Kjo është Tirana 2030 që do të jetë realiteti i shumëkujt që sot, këto që thashë i kërkon sepse i sheh të parealizuara. Tiranën 2030 ku shtëpi të vjetra në rrezik nuk bëhen pallate, po bëhen muze, janë bërë muze sepse është një rrjet i tërë që ka nisur të shkojë në atë drejtim dhe ku bashkia nuk sillet me qytetarin si një taksambledhës që shpik çdo vit e çdo muaj tarifa të reja, dhe e përsëris këtu, kjo nuk është një kritikë për bashkinë e Tiranës, por është një autokritikë për të gjitha bashkitë e Shqipërisë, por justifikon me shërbim çdo qindarkë që i kërkon qytetarit.

Në fund dua t’ju ftoj ta shikoni pak Rrugën e Durrësit; semaforët e shkatërruar, trotuarët e shkulur, kangjellat e shkulura dhe të zhdukura, gjurmët e dhunës mbi trupin e rrugës. Ajo ishte Tirana që morëm ne. Ajo ishte tamam ashtu, jo vetëm në Rrugën e Durrësit, po në të gjithë hapësirën e saj. Rruga e Durrësit sot është një mundësi për të gjithë ata që nuk e kanë njohur apo nuk e mbajnë mend atë Tiranë për tu kthyer në kohë si në një film, për të ecur nëpër të, për të hequr pemët nga pamja sepse edhe ato i kemi mbjellë ne dhe për të parë se çfarë ndryshimi i madh ka ndodhur në Tiranë.

Dhe atë rikthim në kohë e kanë mundësuar ekzaktësisht ata që e lanë Tiranën ashtu, atëherë. Ata që kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë; kur e kanë pasur mundësinë ta ndryshojnë Tiranën, e kanë lënë të lëngojë; kur të tjerët, ne jemi përpjekur ta ndryshojmë, nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta pengojnë.

Prandaj organizimi që ne nisim sot, nuk mund të jetë thjesht një organizim për të fituar zgjedhjet; organizimi që ne nisim sot, është një organizim për të garantuar Tiranën dhe Shqipërinë për atë që vjen jo në një mandat tjetër, por në 10 vitet e ardhshme. Dhe prandaj këtu nuk jemi për të bërë thjesht një ndarje detyrash midis drejtuesve të partisë apo një marrje detyrash dhe nga të tjerë drejtues apo deputetë që banojnë në Tiranë po që shërbejnë në territore të tjera. As thjesht për një regjistrim të ri anëtarësh dhe mbështetësish. As për të rivënë në punë një makineri elektorale që di të marrë shumë vota sepse ne nuk jemi këtu për thjesht një mënyrë më efikase që të mbrojmë atë që kemi fituar, por jemi këtu për një mënyrë të re për të merituar atë që kërkojmë të fitojmë përsëri, sepse ne kemi nevojë për një Parti Socialiste më të organizuar, ndërsa Tirana ka nevojë për një Parti Socialiste më të pranishme. Më të pranishme në lagje, në rrugë, në shkallët e pallateve, në bashkësitë e qytetarëve, në jetën e përditshme të njerëzve, të të gjitha moshave, shtresave dhe grupeve të interesit. Më të pranishme jo vetëm aty ku ne kemi mbështetje, por sidomos aty ku ne kemi humbur besim, jo vetëm prej atyre që na mirëpresin dhe na duartrokasin, por dhe prej atyre që na kritikojnë apo dhe na shajnë. S’ka problem. Jo vetëm për të shpjeguar çfarë kemi bërë, por dhe për të kuptuar ne vetë çfarë nuk kemi bërë, çfarë nuk kemi bërë mirë, çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë duhet bëjmë ndryshe.

Një parti e shtrirë në të gjitha ditët e javës me frymën e orës së Pranisë Besnike. Besnike jo ndaj interesave të individëve që mbajnë një post, por ndaj njerëzve që na kanë besuar një përgjegjësi. Besnike jo ndaj interesit të pushtetit, por ndaj detyrimit për të qenë gati tu në shërbim të qytetarit. Besnike jo për votën, por për zemrën dhe për mendjen e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilëve u duhet Partia Socialiste, sepse Partia Socialiste është e vetmja që i kupton dhe që i do.

Besnike sepse një qytetar që ka një hall të cilin ne mund mos t’ia zgjidhim dot, mund të na kuptojë, por një njeri i zakonshëm që të ka një hall të cilin ne as nuk e dëgjojmë, nuk ka as si na kupton dhe as pse na kupton, po ka vetëm pse na ndëshkon dhe nëse ne nuk e kuptojmë këtë, atëherë mund të kemi organizatën më të madhe, makinerinë elektorale më të sofistikuar, rrjetin më të gjerë të kontakteve dhe prapë se prapë të mos kemi dot atë për të cilën të gjithë ne këtu së bashku rrimë nën një çati dhe për të cilën të gjitha këto të tjerat bëhen zero, besimin e njerëzve. Besa e lindur si nocion strategjik nga reflektimi ynë mbi bulevardin e flamingove, mbi atë lum njerëzish të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, jo për të rrëzuar qeverinë, po për të thënë në një kor zërash të ndryshëm se çfarë presin është besim, është empati është shërbim dhe është angazhim.

Është besim, jo si një e drejtë që na takon me dekret historik, apo që njerëzit do të na e japin patjetër sepse kemi një bilanc arritjesh të jashtëzakonshme, por është besim si një marrëdhënie që duhet ta ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo ditë, me atë që bëjmë dhe mbi të gjitha, me mënyrën se si sillemi me njerëzit.

Empati, jo si mirësjellje përpara hallit të tjetrit, por si aftësi për ta parë realitetin edhe me sytë e atij që nuk jeton si ne, nuk mendon si ne, nuk i ka mundësitë që kemi ne dhe mund të mos votojë fare për ne.

Shërbimi, jo si një favor që pushteti ia bën qytetarit, por si arsyeja e vetme që qytetari i ka besuar pushtetit.

Dhe angazhim, jo si pjesëmarrje në mbledhje, mitingje apo fushata, por si një përgjegjësi që nuk fillon me zgjedhjet, por merr kuptim për zgjidhjet që u japim problemeve të njerëzve.

Kjo është besa që duhet ta udhëheqë organizimin tonë të ri në marrëdhënien tonë të përditshme me Tiranën, sepse ne nuk na duhet një parti që i njeh njerëzit si votues, por një parti që i njeh përmes problemeve që kanë, nevojave që shprehin, ideve që propozojnë, kritikave që bëjnë dhe mundësive që kërkojnë. Nuk na duhet një parti që shqetësohet për të numëruar votat, por na duhet një parti që shqetësohet për të mos lënë të kalojë asnjë moment që e cënon lidhjen me qytetarin.

Këtë nuk mund ta bëjë vetëm kryetari i partisë, drejtuesit politikë, deputetët apo këshilltarët bashkiakë, për të cilët, meqë ra fjala, do të hapim edhe një fushatë të posaçme gare në Partinë Socialiste. Këtë do ta bëjë çdo anëtar i kësaj familjeje politike, në çdo lagje dhe çdo komunitet, duke i dhënë organizimit tonë jo vetëm shtrirjen më të gjerë, por edhe përmbajtjen më njerëzore dhe dua që të kuptohet shumë qartë nga të gjithë: ne nuk po ndërtojmë një organizim të ri për të fituar Tiranën në 9 maj. Ne po organizohemi ndryshe, sepse Tirana që ne do të fitojmë në 9 maj kërkon një fuqi të madhe qeverisëse më 10 maj.

Një Tiranë ku oferta jonë nuk mund të jetë thjesht vazhdimi i projekteve të nisura. Jo thjesht më shumë ndërtime, por më shumë mundësi strehimi për ata që sot nuk e përballojnë dot një shtëpi.

Jo thjesht më shumë rrugë, por rrugë ku njerëzit lëvizin më mirë dhe më të sigurt.

Jo thjesht më shumë shkolla dhe kopshte, por një qytet ku cdo fëmijë ka afër shtëpisë kushtet që i duhen për t’u rritur dhe edukuar.

Jo thjesht më shumë gjelbërim, por më shumë hije, më shumë ajër, më shumë hapësirë komunitare dhe më shumë cilësi jete në çdo lagje të vogël.

Jo thjesht më shumë turistë, por më shumë vlerë të shtuar në ekonomi, më shumë jetë kulturore, më shumë mundësi për sipërmarrjen dhe punësimin.

Jo thjesht një kryeqytet që bëhet gjithnjë e më i madh, por një kryeqytet që bëhet gjithnjë e më i mirë sepse Tirana që kemi trashëguar dikur na kërkonte ta nxirrnim nga humnera. Tirana që kemi sot na kërkon ta ngremë në një nivel të ri pritshmërish. Këto janë dy beteja krejt të ndryshme që kërkojnë të njëjtën forcë transformuese, Partinë Socialiste, por jo të njëjtat përgjigje nga forca jonë transformuese.

Dikur duhet të bindnim njerëzit që Tirana mund të ndryshonte, sot duhet t’i bindim që Tirana mund të bëhet aq e mirë sa qytetet më të mira të Europës dhe këtë nuk mund ta bëjmë duke u krenuar, me shumë të drejtë, me ndryshimin historik që kemi sjellë, por duhet ta bëjmë edhe duke treguar se ne kuptojmë shumë mirë sa shumë ka ndryshuar edhe vetë qytetari, sa shumë janë rritur pritshmëritë e tij dhe sa më e lartë duhet të jetë oferta jonë sepse Shqipëria, njësoj si Tirana, nuk krahasohet me Shqipërinë që ishte, por krahasohet me Europën ku kërkon të bëhet pjesë.

Kjo është një fitore e madhe, historike e ndryshimit që kemi udhëhequr, por është njëkohësisht edhe detyrimi ynë dhe sfida jonë më e jashtëzakonshme për të vazhduar të udhëheqim Shqipërinë.

Prandaj kemi bërë shumë, por ajo që kemi bërë duhet të na vlejë më shumë për atë që duhet të bëjmë, me një skuadër të angazhuar që ndjen përgjegjësi ndaj njerëzve, organizata që marrin nisma, dëgjojnë, funksionojnë, zgjidhin, nuk fshihen pas funksionit, nuk përdorin funksionin për t’u fshehur nga përgjegjësia. Kemi nevojë për më shumë njerëz që kuptojnë se besnikëria ndaj PS-së provohet jo duke i fërkuar shpatullat njëri-tjetrit, por duke mos ua kthyer kurrë shpinën atyre që janë jashtë këtyre mureve.

E kështu, organizimi i ri i Tiranës do të jetë shumë më tepër se përgatitje për një fitore tjetër elektorale. Duhet të jetë rifillimi i një marrëdhënieje besimi në një nivel tjetër, mbi të cilën pastaj do ta kemi jo shumë të vështirë të ndërtojmë Tiranën 2030, Shqipërinë 2030, në Bashkimin Europian.

Kemi bërë gabime, pa diskutim. Kemi pasur dobësi, pa diskutim. Kemi bërë edhe faje për të cilat edhe jemi ndëshkuar, pa diskutim, por ne kemi pasur gjithmonë diçka që na ka dalluar nga gjithë të tjerët dhe që nuk duhet ta humbim kurrë: aftësinë për të nxjerrë mësim, për t’u ngritur dhe për të vazhduar përpara.

Ne kemi dalë më të fortë nga tërmeti që na shembi një pafundësi shtëpish, nga pandemia që na ndali bashkë me gjithë botën, nga krizat e shkaktuara prej duarve të mbrapshta po ashtu, por edhe nga ato që i kemi shkaktuar vetë me gabimet tona. Kemi dalë më të fortë jo sepse ishim të pagabueshëm, por sepse nuk u dorëzuam asnjëherë edhe përballë situatave kur të gjithë menduan se ky ishte fundi ynë sepse ne gjithmonë jemi përpjekur të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë, edhe pasi kemi fituar.

Të tjerët presin të vijnë zgjedhjet për të filluar të organizohen, ne fillojmë të organizohemi sapo zgjedhjet mbarojnë, sepse ne e dimë që fitorja nuk na pret. Fitorja duhet marrë me punë, me përulësi, me kurajë dhe, mbi të gjitha, duhet marrë me avantazh ndaj kundërshtarëve dhe sot, kur dera e Europës, falë gjithë këtyre përpjekjeve, është më e hapur dhe më pranë se kurrë, ne jemi këtu për t’i siguruar Shqipërisë dhe shqiptarëve se ajo derë nuk do të mbyllet pa hyrë ne, Shqipëria në të.

Kështu që, në 9 maj, nuk kemi një palë zgjedhje të tjera për të fituar, por kemi kryeqytetin për t’ua rikthyer plotësisht qytetarëve të tij, duke rivënë në lëvizje të plotë të gjithë forcën tonë udhëheqëse dhe në 9 maj, në ditën e madhe të Europës, asgjë nuk është rastësi. Flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit do të valëvitet fitimtar, krah për krah me flamurin e Europës. Jo sepse do të fitojmë ne zgjedhje, por sepse ne do të fitojmë për Tiranën dhe Shqipërinë dhe Tirana dhe Shqipëria fitojnë vetëm me Partinë Socialiste në drejtimin e tyre.

Faleminderit shumë dhe me trëndafilin në dorë, kurajën në zemër dhe kthjelltësinë në mendje, askush, asgjë, asnjëherë ne nuk na ndal!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zbardhen porositë e Ramës në Asamblenë e Tiranës: Nuk ka konflikt të brendshëm në PS

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se në pjesën e mbyllur të Asamblesë së PS-së, kryeministri Rama u ka kërkuar të gjithëve që të...
13:41 | 21/11/2026

“Uroj që Erioni ta kuptojë se është gabim me mua dhe PS”, Rama mesazh Veliajt nga Asambleja

Kryeministri Edi Rama i dërgoi një mesazh kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste në kryeqytet. Duke iu...
11:43 | 21/11/2026

Rama në Asamblenë e Tiranës: PS do të fitojë sërish kryeqytetin dhe Shqipërinë, jemi rruga drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste do të fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë, duke e cilësuar forcën politike që ai drejton si rrugën e...
11:36 | 21/11/2026