Analisti politik Sadri Ramabaja ka shtruar pyetjen nëse Lista Studentore në Serbi është një forcë reale politike apo thjesht një bashkim i përkohshëm kundër presidentit Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, lëvizja ka arritur të mbledhë individë me formime të ndryshme profesionale, ideologjike dhe politike, përfshirë akademikë, ekspertë, intelektualë, aktivistë dhe qytetarë që më parë nuk kishin përvojë të konsiderueshme në politikën parlamentare.
Të lidhura
None found
Ky heterogjenitet, thekson Ramabaja, ka qenë një avantazh gjatë fazës së mobilizimit kundër regjimit, por mund të shndërrohet në burim konfliktesh pas ardhjes në pushtet.
Në analizën e tij, ai dallon të paktën tri orientime brenda shumicës së re: rryma e reformimit institucional, që kërkon sundim të ligjit, pavarësi të gjyqësorit, transparencë, luftë kundër korrupsionit dhe depolitizim të administratës; rryma e sovranizmit kombëtar, që e sheh Serbinë si shtet që duhet të ruajë qëndrimet tradicionale në çështjet kombëtare, veçanërisht ndaj Kosovës, Republikës Serbe në Bosnjë dhe marrëdhënieve me Rusinë; dhe rryma e orientimit evropian, që e trajton integrimin në BE si objektiv strategjik dhe reformimin demokratik si kusht për modernizimin e shtetit.
Ramabaja vëren se këto orientime nuk janë domosdoshmërisht të papajtueshme në çdo aspekt, por dallimet bëhen vendimtare kur duhen marrë vendime konkrete për politikën e jashtme dhe sigurinë.
Si shembull ai përmend raportin me Rusinë, për të cilin lëvizja studentore nuk ka paraqitur një platformë të qartë për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe ka mbajtur një qëndrim të rezervuar.
Edhe më domethënës është qëndrimi ndaj Kosovës: lista nuk e ka vënë në pikëpyetje njohjen e pavarësisë së saj dhe ka mbrojtur pozicionin kushtetues tradicional të Serbisë.
Prandaj, sipas Ramabajës, fitorja e lëvizjes studentore nuk duhet lexuar automatikisht si fitore e një orientimi të ri liberal-demokratik në të gjitha aspektet e politikës serbe; mund të ketë demokratizim të procedurave të brendshme pa një demokratizim të doktrinës shtetërore ndaj fqinjëve, një dallim ky thelbësor për Kosovën.





