Tre shtetas u arrestuan sot në kuadër të operacionit policor të koduar “Tranzit 4”, pasi u kapën duke transportuar me dy automjete 9 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt fitimit.
Policia e Shtetit bën të ditur se operacioni u finalizua në orët e para të mëngjesit të sotëm nga shërbimet e Sektorit kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Sipas Policisë, tre të arrestuarit A. D., 25 vjeç, M. T., 21 vjeç dhe K. N., 23 vjeç, të tre banues në Korçë, u kapën në flagrancë duke transportuar 9 shtetas të huaj, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme përmes kufirit të gjelbër në Korçë dhe do të dërgoheshin drejt pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celulare.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.


