Operacioni “Final Sale” në Gjirokastër, goditet shitja e drogës pranë shkollave, 1 i arrestuar dhe 1 i proceduar

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin e koduar “Final Sale”, i fokusuar në parandalimin dhe goditjen e shitjes së lëndëve narkotike në doza pranë perimetrit të sigurisë së shkollave. Si rezultat i ndërhyrjes, një 29-vjeçar u vu në pranga në flagrancë, ndërsa një 22-vjeçar u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në zbatim të planit operacional “Shkolla të Pastra” dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrolleve, efektivët kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin me iniciale K. K., 29 vjeç, si dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasit O. Ç., 22 vjeç, të dy banues në Gjirokastër. Policia sqaron se të rinjtë u ndaluan “pranë dy shkollave në qytetin e Gjirokastrës, me nga një sasi të vogël kanabisi të ndarë në doza”.
Në cilësinë e provës materiale, blutë sekuestruan lëndën narkotike të ndarë në doza, një automjet dhe dy aparate celulare. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



