Atentat në Mal të Zi, vritet në Cetinjë pjesëtari i dyshuar i klanit kriminal “Skaljari”

21 Nëntor 2026 | 17:43

Milos Duriçkoviç, 56 vjeç, i identifikuar si pjesëtar i klanit kriminal “Skaljari”, është vrarë me armë zjarri këtë të shtunë në qytetin e Cetinjës, në Mal të Zi. Sipas raportimit të medias malazeze “Vijesti”, trupi i pajetë i tij është gjetur në vendbanimin Bajice, në territorin e komunës së Cetinjës.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, shërbimi i Komisariatit të Cetinjës është njoftuar në orët e mëngjesit nga një qytetar, i cili kishte konstatuar praninë e një personi të pajetë. Policia sqaron se nuk kishte marrë më parë asnjë njoftim për përdorimin e armëve të zjarrit në atë zonë.

Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan se 56-vjeçari M.Đ. ishte vrarë me armë zjarri. Autoritetet kanë bllokuar zonën ku u gjet trupi, si dhe një perimetër më të gjerë dhe disa akse rrugore, ndërsa kanë nisur kërkimet për autorin.

Drejtoria e Policisë bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin shtetëror pranë Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Të gjitha kapacitetet e disponueshme të Policisë janë angazhuar për zbardhjen e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftimin e autoriteteve malazeze.

Sipas medias “Vijesti”, Duriçkoviç ishte pjesëtar i klanit kriminal “Skaljari”, një prej grupeve të njohura të krimit të organizuar në Mal të Zi, i përfshirë prej vitesh në përplasjet me klanin rival “Kavač”.

Policia malazeze nuk ka dhënë ende detaje të tjera mbi autorin apo motivet e mundshme të vrasjes.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ndahet nga jeta Paolo Bulgari, mjeshtri i bizhuterive luksoze

Paolo Bulgari, një prej figurave më të rëndësishme të shtëpisë së famshme italiane të bizhuterive Bulgari, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Lajmi është...
17:04 | 21/11/2026

31 vite nga Marrëveshja e Dejtonit, dokumenti që i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë

Sot shënohen 31 vite nga nënshkrimi paraprak i Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit, e...
15:08 | 21/11/2026

Nga “burrë shteti” në i dyshuar për lidhje me mafien. Rënia e mitit të “Peshkaqenit”, ish-kreut të Policisë italiane

Gianni De Gennaro njihej si një njeri me karakter të fortë. Megjithatë, hetimet e fundit, në qendër të të cilave u gjend vetë ai, tronditën...
14:50 | 21/11/2026