Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të shtunën se ishte i pakënaqur për një ndërhyrje të raportuar kibernetike në një bazë të dhënash të FBI-së, por la të kuptohej se incidenti mund të nxjerrë në dritë informacione që deri më tani nuk janë bërë publike.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump tha se kishte mësuar së fundmi për sulmin kibernetik dhe shprehu shqetësimin e tij për këtë ngjarje.
“Nuk është mirë. Nuk më pëlqen kjo”, u shpreh ai, duke shtuar se “ndoshta do të mësojmë gjëra që përndryshe nuk do t’i kishim mësuar kurrë”.
Më tej, Trump iu referua hetimeve dhe polemikave që lidhen me Rusinë dhe Ukrainën, të cilat i ka kritikuar vazhdimisht, duke sugjeruar se ndërhyrja e raportuar mund të zbulojë informacione për këto çështje, si dhe për pretendimet e tij për manipulim të votave.
“Ndoshta do të mësojmë për mashtrimin zgjedhor, të gjithë mashtrimin që ka ndodhur”, deklaroi ai, pa paraqitur prova për të mbështetur këtë pretendim.
“Pyes veten se kush po e bën këtë, sepse a nuk do të ishte e mrekullueshme të mësonim për Rusinë, Rusinë, Rusinë?”, shtoi Trump, duke argumentuar se publiku duhet të informohet më shumë për këtë çështje, pasi ajo “e ka vënë vendin tonë në rrezik”.
FBI-ja po heton një ndërhyrje të mundshme në Qendrën Kombëtare të Informacionit për Krimet (NCIC), një bazë të dhënash në shkallë kombëtare, e përdorur nga agjencitë federale, shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit për të shkëmbyer informacione mbi urdhër-arrestet dhe kontrollet e të kaluarës së individëve.










