Video/ Njerëzit vrapojnë të tmerruar, pamje nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit në Peru, 15 persona të lënduar
Estonia do të mbyllë nga 1 dhjetori të pesë pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë, duke shkaktuar radhë të gjata në zonat kufitare, ku familje dhe udhëtarë po nxitojnë të kalojnë përpara hyrjes në fuqi të vendimit.
Masa do të zgjasë fillimisht gjashtë muaj dhe është marrë për arsye sigurie, pas një tentative të dyshuar sabotimi të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse.
Sipas mediave të huaja, në qytetin rus të Ivangorodit, pranë kufirit me Estoninë, janë krijuar radhë njerëzish me valixhe, çanta shpine dhe qese në duar, të cilët përpiqen të kalojnë në territorin estonez përpara afatit të caktuar.
Vendimi pritet të prekë jo vetëm lëvizjen e udhëtarëve, por edhe mijëra persona që kanë familjarë dhe të afërm në të dyja anët e kufirit.
Qeveria estoneze njoftoi më 20 nëntor pezullimin e kalimeve rrugore në të pesë pikat kufitare me Rusinë, duke nisur nga 1 dhjetori. Kufizimi do të jetë në fuqi për gjashtë muaj, periudhë pas së cilës autoritetet do të rivlerësojnë situatën e sigurisë dhe do të vendosin nëse masa do të vazhdojë.
Shkak për vendimin është bërë një tentativë sabotimi në Estoni, e ndodhur më 14 nëntor në ambientet e kompanisë Threod Systems, prodhuese e dronëve, në Viimsi, pranë kryeqytetit Talin.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, pas kësaj tentative qëndronte agjencia ruse e inteligjencës ushtarake, GRU. Tetë shtetas letonezë u arrestuan nën dyshimin se ishin rekrutuar për të kryer sulmin me zjarrvënie. Ndërhyrja e stafit të sigurisë së kompanisë bëri që të shmangeshin dëme të konsiderueshme.
Autoritetet estoneze e konsiderojnë këtë incident pjesë të një fushate më të gjerë sabotimi dhe aktivitetesh armiqësore kundër Estonisë dhe vendeve të tjera evropiane.
Sipas qeverisë, mbyllja e pikave kufitare synon të vështirësojë përpjekjet e shërbimeve ruse të inteligjencës për të rekrutuar dhe ndikuar persona që hyjnë në Estoni, si dhe të parandalojë shmangien e sanksioneve.
Moska i ka mohuar akuzat. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi ato si të pabaza, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Estoninë për shkelje të të drejtave të qytetarëve rusë.
Top Channel