Tedi Blushi prezanton 7 amendamentet e Partisë së Lirisë: Më shumë para për rininë, prodhimin vendas dhe emergjencat

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka prezantuar 7 amendamentet e kësaj force politike për Projektbuxhetin 2027, të ndara në tri paketa kryesore: “Rinia”, “Made in Albania” dhe “Emergjencat Civile dhe Siguria”.

Përmes këtyre propozimeve, Partia e Lirisë kërkon rishpërndarjen e fondeve publike në mbështetje të të rinjve, prodhuesve vendas, fermerëve, konsumatorëve dhe punonjësve të sigurisë, me sloganin: “Paratë e shqiptarëve për shqiptarëve!”.

Në deklaratën e saj, PL e ka cilësuar projektbuxhetin e qeverisë si një buxhet që nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe që, sipas saj, favorizon interesat klienteliste në dëm të zhvillimit ekonomik dhe social.

Paketa e parë, “Rinia”, parashikon dyfishimin e financimit për mbështetjen e të rinjve dhe fëmijëve, nga rreth 750 mijë euro në 1.5 milionë euro. Gjithashtu, propozohet një rritje prej 22.28 milionë eurosh për arsimin profesional, duke e çuar financimin në rreth 78.69 milionë euro.

 

 

Sipas Partisë së Lirisë, këto masa synojnë të krijojnë më shumë mundësi për arsimim, formim profesional dhe punësim, si dhe të frenojnë largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Paketa e dytë, “Made in Albania”, fokusohet te mbështetja e prodhimit vendas dhe mbrojtja e konsumatorëve. PL propozon rritjen e financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural në rreth 167.08 milionë euro, nga 93.92 milionë euro të planifikuara në projektbuxhet, si dhe një fond prej 5.6 milionë eurosh për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit.

Një tjetër propozim është ruajtja e pragut aktual të aplikimit të TVSH-së gjatë vitit 2027, me qëllim shmangien e barrës shtesë për biznesin e vogël.

Reagimi i plotë:

Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë paraqet sot 7 amendamentet e tij ndaj Projektbuxhetit 2027, përmes tri paketave konkrete, “Rinia”, “Made in Albania” dhe “Emergjencat Civile dhe Siguria”, me një mesazh të qartë: Paratë e shqiptarëve për shqiptarët!
Projektbuxheti 2027 i Edi Ramës nuk është asgjë tjetër veçse buxheti i mashtrimit, i vjedhjes, i rënies ekonomike dhe i braktisjes sociale. Një buxhet që u vjedh qytetarëve mundësitë për një jetë më të mirë, u mohon të rinjve perspektivën, e lë prodhimin vendas në mëshirë të konkurrencës së pandershme dhe braktis sektorët jetikë të vendit. Është një buxhet që mbron interesat mafioze dhe klienteliste të Edi Ramës, jo interesat e qytetarëve.

Përballë kësaj politike thellësisht antisociale, anti-rini dhe anti-prodhim, Partia e Lirisë propozon një alternativë konkrete, buxheti duhet t’u shërbejë shqiptarëve, të financojë të ardhmen e tyre dhe jo të ushqejë xhepin dhe klientelën e Edi Ramës.

PAKETA E RINISË

Kjo paketë është përgjigjja jonë konkrete ndaj kërkesave të studentëve, të cilët janë ngritur në protesta të fuqishme kundër mungesës së perspektivës, kushteve dhe mundësive për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Protesta e tyre nuk kërkon propagandë, por ndryshim politikash dhe financim real.
Propozojmë dyfishimin e financimit për mbështetjen e rinisë dhe fëmijëve, nga rreth 750 mijë euro në rreth 1.5 milionë euro, pra një rritje prej rreth 100%, si dhe rritjen me rreth 22.28 milionë euro të financimit për arsimin profesional, duke e çuar atë në rreth 78.69 milionë euro, pra një rritje prej rreth 40%.
Nuk mund të kërkosh që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria, ndërkohë që nuk investon te arsimimi, formimi profesional dhe punësimi i tyre. Të rinjtë nuk kanë nevojë për fjalime dhe premtime, por për mundësi konkrete. Dhe alternativa që propozon Partia e Lirisë është një alternativë që ndal dhe frenon edhe dramën e madhe të shpopullimit.

PAKETA “MADE IN ALBANIA”

Kjo paketë synon të përmbysë modelin ekonomik që favorizon importet dhe interesat e një pakice, në kurriz të fermerëve, prodhuesve dhe konsumatorëve shqiptarë. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke importuar gjithnjë e më shumë dhe duke dobësuar prodhimin vendas.
Propozojmë rritjen e financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural në rreth 167.08 milionë euro, nga rreth 93.92 milionë euro të planifikuara, duke shtuar rreth 73.16 milionë euro për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtorisë dhe agroindustrisë, pra një rritje prej rreth 78%.
Propozojmë gjithashtu rreth 5.6 milionë euro për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit, për të forcuar mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet dhe praktikat e padrejta në treg.
Një tjetër masë është mosndryshimi i pragut të aplikimit të TVSH-së gjatë vitit 2027, për të mos rënduar më tej biznesin e vogël dhe për të mos goditur aktivitetin ekonomik.
Fermerët kanë nevojë për mbështetje, prodhuesit për politika që i mbrojnë dhe konsumatorët për institucione që nuk i braktisin përballë abuzimeve. Ky është kuptimi i “Made in Albania”.
PAKETA E EMERGJENCAVE CIVILE DHE SIGURISË
Kjo paketë synon t’u japë fund politikave të braktisjes dhe nënvlerësimit të punonjësve që çdo ditë përballen me rreziqe reale për të garantuar sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Propozojmë rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Policisë së Burgjeve, duke përfshirë në të njëjtën masë edhe pagesat për orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.
Po kështu, propozojmë rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Emergjencave Civile, duke përfshirë edhe orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.
Nuk mund të kërkosh sakrificë, përgjegjësi dhe gatishmëri të përditshme nga këta punonjës, ndërkohë që i lë të përballen me rreziqet, ngarkesën dhe kushtet e vështira pa trajtimin financiar që meritojnë. Siguria e qytetarëve nuk garantohet me deklarata, por me punonjës të vlerësuar dhe të mbështetur.
Këto tri paketa dhe shtatë amendamente përfaqësojnë një alternativë konkrete ndaj Projektbuxhetit 2027.
Më shumë investime te rinia dhe arsimi, më shumë mbështetje për prodhimin vendas, mbrojtje për konsumatorët dhe dinjitet për punonjësit që garantojnë sigurinë e qytetarëve.
Ky është dallimi thelbësor mes dy alternativave. Edi Rama harton buxhete për të vjedhur dhe për të mbajtur në këmbë narkodikaturën, duke ushqyer xhepin dhe klientelën e tij, ndërsa Partia e Lirisë propozon një buxhet që u shërben qytetarëve, rinisë dhe ekonomisë kombëtare.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë peng i një modeli narko-ekonomik që prodhon varfëri, shpopullim dhe pasurim të oligarkisë.
Paratë e shqiptarëve duhet të kthehen te shqiptarët! Shqipëria ka nevojë për një buxhet zhvillimi, jo për një buxhet grabitjeje!

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri