Partitë politike në Shqipëri, Alcatrazi i kohëve moderne!

Nga Denis Hidri
Në Shqipëri, partitë politike rrezikojnë të kthehen në burgje moderne, ku hekurat janë zëvendësuar nga interesat, premtimet, frika dhe varësia ndaj kryetarit.
Mekanizmi të kujton mënyrën se si bosët e krimit rekrutojnë të rinjtë: “Puno për mua, më shërbe, mos më tradhto dhe një ditë do të jesh ti bosi!”
Në politikë ndryshon vetëm kostumi dhe fjalori: “Mblidh vota, mbush sheshet, mbro kryetarin, mos kundërshto dhe një ditë do të vijë radha jote!”
Kështu mund të kalojnë vite të tëra, ndërsa i riu mbetet ushtar dhe kryetari mbetet i paprekshëm.
Raportet e OSBE/ODIHR, Transparency International dhe institucioneve europiane kanë evidentuar probleme me klientelizmin, presionet politike dhe demokracinë e brendshme.
Kur karriera varet nga besnikëria dhe jo nga merita, partia pushon së qeni shkollë demokracie dhe kthehet në mekanizëm kontrolli.
Në Alcatraz gardiani kishte çelësat e qelive. Në politikën e centralizuar, kryetari mban çelësat e karrierës.
Dhe tragjedia më e madhe është kur të rinjtë, në vend që të luftojnë për lirinë e mendimit, luftojnë gjithë jetën për të trashëguar karrigen e atij që i ka mbajtur të varur.
Një parti ku nuk guxon t’i thuash JO kryetarit, nuk mund të pretendojë se është shembull demokracie!
Sepse skllavëria politike fillon aty ku dinjiteti shitet për një premtim pushteti.
360grade.al


















