Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka reaguar pas deklaratës nga Edi Rama, i cili u shpreh se dëshiron edhe më shumë kulla në Tiranë.

Teliti e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke ngritur shqetësimin për mungesën e banesave të përballueshme për çiftet e reja dhe familjet me të ardhura mesatare.

Në reagimin e tij, Teliti thekson se kryeqyteti ka nevojë për më shumë shkolla, kopshte, çerdhe, lulishte dhe hapësira të përbashkëta, dhe jo për një shtim të mëtejshëm të kullave.

Ai ngre gjithashtu një pyetje për mundësinë reale që qytetarët me paga normale të blejnë një apartament në këto ndërtesa.

Reagimi i plotë:

E dëgjuat sot kryeministrin?

‘Dua akoma më shumë kulla’ tha në Tiranë.

E para, Tiranës nuk i duhen kulla, po i duhen shkolla, kopshte, çerdhe. I duhen rrugicat, ambientet e përbashkëta, lulishtet.

E dyta, a njeh dikush prej yush, ndonjë çift që ka pagë normale këtu në Tiranë, pagë mesatare, që ka mundësinë të blejë një apartament, një dhomë e kuzhinë, te këto kullat e ndërtuara apo që do të ndërtohen në të ardhmen? Jo.

Dhe e treta, 50 milionë euro janë arkëtuar aktualisht deri më sot nga Bashkia e Tiranës nga ky 3-përqindëshi i taksës së strehimit social.

Por as edhe një godinë e vetme nuk është ndërtuar gjatë këtyre viteve për të strehuar pikërisht familjet në nevojë dhe çiftet e reja. Pra, propaganda është propagandë.

Realiteti i sotëm është që në Tiranë ëndrrat tona bien përtokë dhe ajo që ngrihet janë vetëm kullat dhe deklaratat e mazhorancës qeverisëse.

Ndaj njerëz, qytetarë, miq, reflektoni dhe reagoni!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: