Në fshatin Golem të Lushnjës banorët ankohen për ndotjen e ajrit nga tymrat e fabrikave.
Bëhet fjalë për fabrika të vogla që prodhojnë pelete prej druri, që sipas banorëve përdorin si lënde djegëse bërsitë e ullirit.
Muaji nëntor është piku i punës së tyre dhe banorët ankohen se fabrikat e ndërtuara buzë aksit nacional Lushnjë-Rrogozhinë kanë ndotur jo vetëm ajrin por edhe ujërat e kanaleve kulluese. Bagëtitë sipas banorëve të Golemit nuk mund të pinë ujin e kanaleve.
Prej pesë vitesh këto fabrika janë kthyer në një problem. Periudha vjeshtë-dimër është më e vështira për banorët për shkak se rritet edhe kapaciteti i punës. Problemi është bërë i njohur edhe për bashkinë e Lushnjës edhe për Ministrinë e Mjedisit.
Edhe pse këto fabrika janë gjobitur dhe u janë dhënë urdhëra për rregullimin e gjendjes, problemi ka mbetur i njëjtë. Era e rëndë që vjen nga oxhaqet e tyre, ndihet më tepër në mbrëmje duke pushtuar lagje e fshatra të tëre në Lushnjë.


